Komuna e Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Qyteti i Papunësisë, Terrorizmit dhe Politizimit të Arsimit

Komuna e populluar nga 71 mijë banorë, përpos varfërisë, përballet me probleme të ujit, kanalizimit, rrugëve e deri te problemet me radikalizmin e të rinjve. Teme këto të diskutuara në Debatin për Zgjedhjet Komunale.

Mitrovica që gjeneronte edukimin e rok-grupeve dhe sportistëve të famshëm në Kosovë është shndërruar në njërën nga vatrat kryesore të rekrutimit të luftëtarëve të ISIS-it për luftën e Sirisë dhe Irakut.

Hulumtimet e fundit tregojnë se 10% e personave të dënuar për indoktrinim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste janë nga kjo komunë. Pushteti komunal ka një rol të madh në parandalimin e ekstremizmit duke garantuar edukim dhe kujdes social për qytetarët e saj.

Kandidatë për kryetarin e komunës në debatin për zgjedhjet komunale 2017 nuk dhanë ndonjë zgjidhje për planet e tyre në deradikalizim duke e orientuar planin e tyre në parandalimin e dhunës në shkollat të cilat udhëhiqen nga politika.

Hulumtimi ynë tregon se në arsimin e Mitrovicës jo më pak se 17 drejtorë dhe zëvendësdrejtorë shkollash janë kryetarë apo në kryesi të degëve të partive politike.

“Nga 32 shkollat, 17 prej tyre udhëhiqen nga drejtorë që kanë angazhime në parti politike”, shkruhet në njërën nga përgjigjet e komunës

Përpos drejtorëve të shkollave, komuna ka dështuar të lirojë hapësirat e uzurpuara përreth shkollave të cilat pengojnë procesin mësimor e që në një rast ishin shkaktarë të zjarrit që dogji shkollën e mesme.

Mitrovica e ka vetëm një çerdhe publike dhe nuk ka çerdhe private. Së fundmi është ndërtuar një që funksionon me partneritet publiko-privat. Komuna ka sqaruar se ka nevojë për të paktën dy çerdhe të reja, ndërtimi i të cilave është kufizuar me mungesë të buxhetit për investime

Shërbimet publike

Në problemet esenciale komuna ka probleme me ambientin dhe uzurpim të hapësirave publike. Rruga për në treg është tërë javën e uzurpuar, vetëm të shtunën punon edhe tregu, sepse ditëve tjera është i zbrazët, veturat parkohen nëpër trotuare dhe nëpër rrugë.

 

Shumë nga trotuaret e Mitrovicës vazhdojnë të shërbejnë për parkimin e veturave dhe ekspozimin e mallrave të ndryshme për t’u shitur. Edhe pse ishte premtuar lirimi i trotuareve, Mitrovica vazhdon të përballet me këtë problem.

Kolonat e gjata gjatë verës veçanërisht në rrugët: “Mbretëresha Teutë” dhe “Shemsi Ahmeti”, si dhe parkingjet pa kriter vazhdojnë ta ngufatin qytetin. Në fshatra ka probleme me trotuaret, ndërsa qyteti vazhdon të mos ketë transport publik.

Komuna ka problem me kanalizim dhe ndotje të lumenjve.Mungesa e transportit të organizuar publik është një prej problemeve që është theksuar nga qytetarët e Mitrovicës. Në fillim të mandatit të Agim Bahtirit, një numër i autobusëve donacion finlandez ishin dhënë për Komunën e Mitrovicës me qëllim të organizimit të transportit publik nga komuna.

Kjo nuk është realizuar gjatë mandatit dhe më vonë këta autobusë u janë falur klubeve sportive në Mitrovicë. Transporti në Mitrovicë është i organizuar nga kombi privatë, të cilët operojnë nëpër qytet, derisa në fshatra është i organizuar me autobus privatë.

Rrugët në qytetin e Mitrovicës fare pak pastrohen nga pluhuri që mblidhet anësh rrugëve dhe kjo shkakton papastërti të rrugëve dhe rrjedhimisht edhe ndotje të ambientit nga pluhuri.

Në qytetin e minierave  ende vazhdojnë deponitë/mbetjet e plumbit nga koha e paraluftës kur në funksion ka qenë fabrika “Trepça” me të gjitha njësitë e saj. Këto mbetje sidomos shkaktojnë probleme në kontaminim të ujit në hapësirat përreth tyre, por edhe gjatë erërave të forta të cilat e shpërndajnë këtë mbetje edhe më gjerë.

Sfida e Zhvillimit

Në pushtetin komunist të viteve 80-ta Mitrovica ishte sinonim i punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Lufta dhe kalimi nga sistemi komunist në atë publik dhe privat e kanë nxjerrë jashtë sistemit pjesën më të madhe të industrisë së “Trepçës”. Linjat e përpunimit të plumbit, shkritorja dhe fabrika e akumulatorëve janë jashtë funksionit, ndërsa ndërmarrja punon vetëm në minierë dhe atë me kapacitete jo të plota.

Për t’i dhënë një shtysë zhvillimi të ekonomisë në këtë zonë, Qeveria Thaçi -Pacolli i kishte shpallur tri qytete zona të lira ekonomike: Mitrovicën, Gjakovën dhe Prizrenin. Asnjëherë këto zona nuk janë implementuar. Vendimi ishte marrë në kohë të fushatës në vitin 2014, ndërsa nuk ishte zbatuar nga qeveria pasuese- ajo e Isa Mustafës.

Mungesa e zhvillimit dhe keqqeverisja kanë reflektuar edhe në uljen e buxhetit të komunës.

Të dhënat nga auditori gjeneral tregojnë se Komuna e Mitrovicës ka pasur ngecje të vazhdueshme në mbledhjen e të hyrave vetanake. Auditori thotë se komuna në vitin 2014 i kishte planifikuar 2.3 milionë të hyra, por janë mbledhur vetëm 1,3 milionë.

Situata është e njëjtë edhe në vitin 2015 ku sipas auditorit janë mbledhur vetëm 1.2 milionë euro nga 2.1 milionë euro të planifikuara. Të dhënat tregojnë se situata është përmirësuar në 2016-ën kur komuna ka arritur të mbledhë 1.9 milionë euro nga 2.2 milionët e planifikuar.