Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

‘Parajsa’ e Qiramarrësve në Komunën e Ramadan Mujës

Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2016 ka dhënë në shfrytëzim pronën komunale disa partive politike me çmim prej 1 euro në muaj. Madje e gjithë kjo ishte bërë pa organizuar ankand publik siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.

Komuna, shfrytëzimin e pronës e kishte arsyetuar me një vendim të asamblesë komunale që ishte nxjerrë në vitin 2005.

“Në vitin 2016 ishin bërë kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale me çmim prej 1 euro në muaj për 8 lokale me disa parti politike, duke mos organizuar ankande publike”, thuhet në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2016.

Nënshkrimi i kontratës pa tender

Sipas këtij raporti, Komuna e Prizrenit kishte dhënë edhe lokale të tjera në shfrytëzim për Organizata Joqeveritare dhe parti politike pa kontrata.

“Në dy raste, qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide, sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, dhe këta shfrytëzues vazhdojnë të ngarkohen me qira vetëm me një shkresë të Drejtorisë së shërbimeve publike të datës 10.11.2014. Këta obligues i kanë borxh komunës shumën 285 mijë e 834 euro”, thuhet në të gjeturat e Raportit të Auditimit.

Një rast tjetër sipas Raportit të Auditorit është me një operator i cili që nga viti 2009 ka shfrytëzuar tregun e gjelbër me qira mujore prej 180 mijë euro dhe nuk ka kryer obligimet duke mbetur borxh ndaj komunës në vlerë prej 14 mijë e 580 euro.

Pra nga të gjeturat e Auditorit, Komuna e Prizrenit për pronat e dhëna me qira për 2016 kishte planifikuar që të realizojë 1 milion e 350 mijë euro, ndërsa kishte arritur të inkasojë 501 mijë 328 euro apo 37 për qind.

Në dy raste tjera, sipas Auditorit, Komuna e Prizrenit ka dhënë lokale afariste në shfrytëzim me kontratë, mirëpo qiramarrësit nuk i kryejnë obligimet sipas kontratës dhe borxhi i tyre arrin 3 mijë e 534 euro.

Si e gjetur tjetër nga Auditori është se Komuna e Prizrenit kishte lidhur kontratë për emetimin e seancave të kuvendit komunal me vlerë 150 euro për seancë, duke mos respektuar procedurat e prokurimit.

“Nënshkrimi i kontratës ishte bërë direkt me Operatorin Ekonomik, pa udhëhequr procedurat e prokurimit paraprakisht. Pas këshillave tona në fazën e ndërmjetme, komuna menjëherë e ka ndërprerë kontratën”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Auditori ka gjetur se në 22 raste, Drejtoria e Arsimit nuk i protokollon faturat e pranuar ashtu siç kërkohet me Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike.

Po ashtu Komuna e Prizrenit sipas Auditorit në tri raste ka hyrë në obligime pa i zotuar të gjitha mjetet e nevojshme.

“Vlera këtyre kontratave të nënshkruara ishte 89 mijë e 29 euro, ndërsa zotimi ishte bërë vetëm 11 mijë euro”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Prizrenit.

Raporti i Auditorit ka gjetur se Komuna e Prizrenit ka lidhur tri kontrata publike për mirëmbajtje të rrugëve lokale me kubëza, instalim i ndriçimit publik dhe intervenim në infrastrukturë në rast fatkeqësie natyrore në kundërshtim me ligjin e Prokurimit.

“Komuna kishte lidhur 3 kontrata publike kornizë për punë me çmim për njësi për mirëmbajtje për 36 muaj (Instalimi i ndriçimit publik, mirëmbajtja e rrugëve lokale me kubëza, intervenimi në infrastrukturë në rast të fatkeqësive natyrore) jo në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) duke mos përcaktuar në dosje të tenderit sasinë indikativë ose vlerën e parashikuar të kontratës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Dobësia e mbledhjes së borxheve

Auditori thotë se Komuna e Prizrenit nuk ka planë se si t’i trajtoj borxhet që palët e treta ia kanë Komunës, e të cilat kanë arrit në 15 milionë e 567 mijë euro.

“Borxhi kryesor mbetet inkasimi i tatimit në pronë në vlerë 6,808,003euro, pastaj taksat nga veprimtaritë e biznesit 5,753,532euro, të hyrat nga mbledhja dhe menaxhimi i mbeturinave 1,859,235euro nga dhënia me qira e tregjeve 455,577euro, si dhe tarifat tjera prej 691,000euro. Krahasuar me vitin e kaluar (14,013,000euro), llogaritë e arkëtueshme ishin rritur për 1,554,347euro. Kjo është si pasojë e mos vendosjes së mekanizmave adekuat të inkasimit nga ana e komunës”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur se Komuna e Prizrenit nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme dhe udhëzimin administrativ në fuqi.

“Nga gjithsej 48,645 prona, komuna gjatë vitit 2016 ka arrit të verifikoj vetëm 1477 prona. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së zyrtarëve anketues në terren për verifikim të pronave”, thuhet në raport të Auditorit.