Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

KamerFest: Njohja e Kosovës me Nota Muzikore

Nëntë koncertet që u shfaqën prej 1 deri më 27 tetor në katërmbëdhjetëvjetorin e KamerFestit, sollën në Kosovë artistë të shumtë të muzikës klasike, shumë nga ta prej vendeve që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Festivali që përkoi me vitin e lindjeve të kompozitorëve Giuseppe Verdi dhe Richard Wagner, iu kushtua këyre mjeshtërve. KamerFest-i që dëshiron me muzikë t’i ndihmojë njohjet, duke ua ndërruar mendjen për vendin, artistëve të shteteve që nuk na kanë pranuar, nuk po ndihmohet nga politika, pasi Kosovës vazhdon t’i mungojë një sallë koncertesh. Edhe mungesa e rrymës si fenomen kosovar u shfaq në mbrëmjen e 9 tetorit, por artistët nuk ndërprenë interpretimin e Sonatës së Tetë të Beethoven-it.

Muzikantët rusë Victor Kuleshov e Eugene Skorovodnikov në violinë dhe piano po luanin Sonatën e Tetë të Beethoven-it, më nëntë tetor, kur në Kishën “Shën Ndou” të Prishtinës, ku po mbahej koncerti, u ndal rryma. 

NDËRLIDHUR

Artistët, pjesë e edicionit të katërmbëdhjetë të KamerFest-it, të zhvilluar prej 1 deri më 27 tetor, nuk e ndërprenë performancën, vazhduan ekzekutimin thuajse nëpër terr, duke kuptuar realitetin kosovar të reduktimeve të energjisë. 

Sonata e Tetë e Beethoven-it, nis ngadalshëm, për të mbërritur pastaj tinguj të lartë e dramatikë, si ndalja e rrymës gjatë koncertit. 

Por ndërprerja e rrymës shfaqi edhe më shumë shpirtin artistik të duos ruse. 


Artistët kanadezë – Victor Kuleshov, Eugene Skovorodnikov | Foto: Meriton Ferati

“Kjo ishte ndër përvojat tona më interesante. Në fillim kishim frikë, sepse natyrisht, është më e vështirë të luash ashtu, por ishte një intensifikim i emocioneve që ndodhi dhe na e bëri ende më të bukur atë natë”, tregoi pianisti, Eugene Skovorodnikov. 

KamerFesti i sivjetmë synoi që nëpërmjet notave muzikore ta bëjë më të afërt Kosovën, sidomos për artistët e shteteve që nuk na kanë njohur. Me duon ruse të njohur ndërkombëtarisht, duket se ia arriti qëllimit. 

“Ky vend duket shumë botëror, mendoj se nuk ka asgjë mangut qyteteve të Amerikës, ose Europës Perëndimore. Me shumë qejf do ta vizitonim përsëri”,  pajtohen Skovorodnikov dhe Kuleshov. 

“[Synojmë] bashkëpunimin e Kamerfest-it me festivalet e tjera. Të ftojmë më shumë artistë [tëvendeve] që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Mendoj se artistët janë ata që do të balancojnë tensionet politike dhe përshpejtojnë edhe njohjen e Kosovës”, thotë kolegia kosovare e Kuleshov-it dhe organizatorja e KamerFest-it, violinistja Sihana Badivuku. 


Babette Haag | Foto: Meriton Ferati

Festivali kosovar i muzikës klasike, përkoi me dyqindvjetorin e lindjeve të Giuseepe Verdit dhe Richard Wagnerit, kompozitorëve të njohur italianë e austriakë, të lindur në vitin 1813. 

Për nder të tyre KamerFesti edhe u hap me vepra të dy kompozitorëve, në një bashkëpunim kosovaro-ndërkombëtar. Grupi gjerman Trio MusicATre, i shoqëruar nga sopranja kosovare Kaltrina Miftari ishin të parët që dolën në skenë. 

Sihana Badivuku e konsideron shumë të rëndësishëm shkëmbimin e përvojave mes muzikantëve kosovarë dhe ndërkombëtarë, sidomos nëse të huajt që vijnë janë të njohur, e me përvojë. 

“Muzikimi i përbashkët i artistëve ndërkombëtarë me ata vendorë në veprat e mëdha muzikore të literaturës kamertalte përdoret si urë-lidhëse”, tha Badivuku. 


Sshtreich Quintet | Foto: Meriton Ferati

Përveç artistëve rusë, në Kamerfest erdhën edhe muzikantë nga Spanja, Ukraina, Gjeorgjia, Armenia, por edhe nga vendet që kanë njohur Kosovën shtet. 

Kufijtë në KamerFest i theu edhe “No Borders Orchestra”, më 10 tetor, një grup muzikor i drejtuar nga dirigjenti serb Premil Petroviq që mbledh brenda vetes muzikantë nga shtetet që dolën prej ish-Jugosllavisë, mes tyre edhe shqiptarë. 

Kjo orkestër ka për qëllim ta krijojë një botë pa kufij. Filozofia e saj është e thjeshtë: të jenë një mjet i cili ndihmon në tejkalimin e historisë së dhunshme për të dhënë shembull se si njerëzit mund të jetojnë dhe punojnë se bashku. 

Përveç që theu kufijtë, KamerFesti shpërfilli nganjëherë edhe rregullat e ashpra të muzikës klasike. Grupi italian Petris Duo, një kombinim i Daniela Gentiles në piano dhe Luigi Santos në trumpetë, me këto instrumente luajti vepra të Giuseppe Verdit dhe George Gershwinit, më 2 tetor. Gershwin njihet për kontributën e tij në fushën e muzikës jazz.


Cuenca Duo – Francisco Cuenca, Jose Manues Cuenca | Foto: Meriton Ferati

Por nëntë netët e muzikës klasike gjatë gati 30 ditëve, nuk u përballën vetëm me atë ndalje aksidentale të rrymës. KamerFest-i që nga edicioni i parë e ka problem të gjejë vend për zhvillimin e aktiviteteve, pasi Kosova nuk ka një sallë koncertesh. 

“Tash vite me radhë po loboj për konstruktimin e një salle koncertale ku mund të realizohet jo vetëm ky festival, por edhe shumë ngjarje të ngjashme kulturore. Kërkesa ime nuk është e jashtëzakonshme, sepse mendoj që nëse Kosova ka një teatër, ajo mund të kishte shumë lehtë edhe një hapësirë koncertale”, shprehet Sihana Badivuku. 

Në mungesë të sallës, KamerFest-i vazhdon të organizohet në kishën Shën Ndou, katedralen Nëna Tereze dhe Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, shumica e këtyre hapësirave të papërshtatshme për një ngjarje të tillë.

Bashkëpunëtorja e Badivukut, pianistja e njohur Lejla Haxhiu-Pula, tregon se ndërtimi i një salle u është kërkuar kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës, gjatë debateve, në këmbim me votën e muzikantëve, por thotë se nuk kanë parë interesim te ta për zgjidhjen e një problemi të tillë. 


World Orchestra | Foto: Meriton Ferati

“Ne nuk po kërkojmë edhe aq shumë, në rastin më të keq kishte me ndihmuar edhe një mbindërtim në teatrin ekzistues, sa për të realizuar një dhomë koncertale dhe problemi do të zgjidhej, por kam përshtypje që kjo çështje nuk po i prekë edhe aq kryetarët potencialë për komunë që është fatkeqësi për kulturën kosovare”, thotë Haxhiu-Pula. 

Nuk është vetëm KamerFesti që mezi po gjen vend në një ambient, ku muzika klasike ende kryesisht pranohet e dëgjohet vetëm gjatë shpalljes së zisë kombëtare, pas ndonjë tragjedie të rëndë.

Opera “Skënderbeu” e kompozitorit italian Antonio Vivaldi, e shkruar në vitin 1700 dhe e përgatitur prej 140 artistëve shqiptarë nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, për nder të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vitin e kaluar nuk u shfaq në Prishtinë, për shkak të mungesës së një salle të përshtatshme.

ETIKETA

29 Tetor 2013 - 11:03

Eldita Tarani 29/10/2013 - 11:03
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

KamerFest: Njohja e Kosovës me Nota Muzikore

by Gazeta JNK
NA NDIQNI