MInistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Foto: Atdhe Mulla

Asamblisti i LDK-së Punësohet në Ministri të Kulturës

Asamblisti i LDK-së në komunën e Deçanit, Albert Kurtulaj, është punësuar në Ministrinë e Kulturës , Rinisë dhe Sporteve, e drejtuar nga zyrtari i lartë i partisë së njëjtë, Kujtim Shala.

Një raportim në KALLXO.com ka zbuluar se në konkursin e fundit që është shpallur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për pozitën ‘Zyrtar i Lartë për Koordinim të Politikave’ del se është punësuar Këshilltari Komunal në Deçan nga radhët e LDK-së, Albert Kurtulaj.  I kontaktuar nga KALLXO.com zyrtari i LDK-së mohoi ndonjë mundësi që punësimi i tij të jetë bërë për shkak të lidhjeve politike.

“Punësimi im nuk është politik, por në bazë të vlerësimit, fletënotimit. Unë kam pasur të drejtën e konkurrimit, kam aplikuar dhe i kam kaluar të gjitha procedurat e punësimit. Në momentin që e nënshkruaj kontratën do të jap dorëheqje nga pozita aktuale e Këshilltarit Komunal“, tha Kurtulaj.

Ndërsa ministri Kujtim Shala tha që konkursi është i hapur për të gjithë ata që i plotësojnë kriteret për punësim dhe se ai nuk dyshon që punësimi i Kurtulaj mund të jetë me ndikim politik.

pranimi2

“Alberti është punësuar si shërbyes civil dhe ju garantoj se asnjëherë nuk ka pasur ndikim politik për punësime”, sqaroi ministri Shala.

Sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, tha që personi i pranuar në këtë pozitë i ka plotësuar të gjitha kushtet sipas komisionit dhe se ata asnjëherë nuk kanë pas presion politik lidhur me punësime, jo vetëm në këtë rast por as në rastet tjera

“Komisioni ka vlerësuar se zotëri Kurtulaj i ka plotësuar të gjitha kushtet sipas konkursit. Asnjëherë nuk kemi pasur presione nga ministri Shala, qoftë për këtë rast apo për rastet e mëhershme”, u shpreh Firzi. [interaction id=”56be120e3c42ab681c79bf64″]