Helmimi me vota: Mjekët ende nuk e zbuluan nga erdhi reaksioni

Klinika Infektive në QKUK nuk ka arritur të zbulojë se si ka ndodhur helmimi i 12 verifikuesve të votave të dielen.

Verrifikuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK nën dyshimet për helmim nga zarfet e ardhura nga Serbia.

Në një konferencë për media, sot zyrtarët e Klinikës Infektive thanë se pacientët nuk kanë diagnozë për sëmundje ngjitëse apo siç e quajtën ata “sindromë infeksioze”.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazi-Berisha deklaroi se të gjithë pacientët janë në gjendje të mirë dhe së shpejti do të lirohen.

“Gjendja shëndetësore e gjithë pacienteve është e mirë. Pritet që të shohim se kur të është e arsyeshme të lirohen për në shtëpi. Nuk kanë ankesa. Prej informatave që kemi marrë është konfirmuar se nuk kanë sindromë infeksioze. Të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti i Biokimisë janë në normë dhe nga të gjitha rezultatet përjashtohet mundësia e agjensit infektiv”, tha ajo në një konferencë për media, të martën.

“Ne si klinikë infektive, qëllimi jonë është që të përjashtojmë agjentët infektiv, rezultatet tjera priten”, shtoi ajo.

Ajo sqaroi se kanë qenë 11 pacientë por në orën 14:00 gjatë ditës së djeshme ka ardhur edhe një grua tjetër është lajmëruar.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu thotë se të gjitha profilet e mjekëve janë konsultuar që rezultatet në fund të jenë sa më të mira.

“I vizituam 12 pacientët të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore .Është bërë një pranim i këtyre pacienti dhe është organizuar nga aspekti shëndetësor, është formu konsiliumi ku nënkuptojnë se janë konsulltu të gjitha profilet e mjekëve që rezultatet në fund të jenë sa më të mira”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Naser Ramadani, Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha se të gjitha monstrat për analiza laboratorike.

‘Sot analizat kanë ardhur dhe janë kompletuar me dosjet tjera në Klinikën Infektive të cilat kanë rezultuar krejt negative dhe është izoluar mundësia për të pasur ndonjë sindromë infeksioze dhe pacientët janë në trajtim të mëtutjeshëm. Janë në observim”, u shpreh Ramadani.

KALLXO.com ka raportuar të dielën se qendra për verifikimin e votave për zgjedhjet e 6 tetorit u përfshi në një incident sapo nisi hapja e zarfeve të cilat janë dërguar në Kosovë nga Serbia.

Hapja e pakove u shkaktoi alergji dhe temperaturë verifikuesve të votave, duke ua vështirësuar edhe frymëmarrjen.

Procesi i verifikimit të këtyre votave është pezulluar përkohësisht, derisa të merret vendimi se çka do të bëhet me zarfet e ardhura nga Serbia.

Pas incidentit me kutitë e votave nga Serbia, Gjuriq: po përgatitet manipulim i votave