Marko GJuriq - Foto: REL/AP

Pas incidentit me kutitë e votave nga Serbia, Gjuriq: po përgatitet manipulim i votave

Pas helmimit të zyrtarëve kosovarë nga zarfet e ardhura me vota nga Serbia, drejtori Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq ka thënë se është duke u manipuluar me votat serbe.

Gjuriq ka paralajmëruar opinionin vendor e ndërkombëtar se është duke u përgatitur manipulim me votat e serbëve në Kosovë, me qëllim që me çdo kusht në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen siç ka thënë ai ‘serbët e Kurtit’.

“Nga kjo çfarë ndodhi sot duhet parë të gjithë se çfarë budallenjsh shovinistë në Prishtinë merren me politikë, dhe e gjithë kjo bëhet që serbët prapë rrejshëm të akuzohen dhe të ekspozohen ndaj urrejtjes, me qëllim që nga mllefi i katastrofës zgjedhore të nxirren Rada Trajkoviq dhe kandidatët tjerë të Kurtit”, ka thënë Gjuriq.

Theksojmë se procesi i verifikimit të zarfeve me vota, të ardhura nga Serbia është ndërprerë sot rreth orës 11:00 pas kundërmimit të zarfeve.

Si pasojë është raportuar të jenë helmuar rreth 26 zyrtarë kosovarë që kanë qenë të ngarkuar me numërimin e zarfeve./RTK