Jetullah Aliu | Foto: Drejtësia në Kosovë

Suspendohet Shefi i Hetimeve në IPK

Suspendimi i Aliut, njërit nga eprorët më të lartë të IPK-së u bë të martën me vendim të drejtorit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas një njoftimi të IPK-së suspendimi ka ndodhur për shkak të një hetimi të cilin policia e ka nisur ndaj Aliut dhe një zyrtari tjetër të Inspektoratit.

Lajmin për suspendimin për  KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Aliu, i cili nuk ka dashur të tregojë arsyet dhe rastin, për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar.

“Dje kam marrë një letër me të cilën  jam njoftuar se suspendohem deri në përfundim të hetimeve të rastit,” tha Aliu.

Ai nuk ka dashur të japë detaje të tjera për personin tjetër të suspenduar.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e IPK-së Arbër Beka, por i njëjti ka thënë është në pushim dhe për të gjitha detajet duhet t’i referoheni komunikatës së djeshme.

“Çdo gjë rreth rastit është një vendim administrativ i IPK-së dhe me hetimet e rastit është duke u marrë Prokuroria e Shtetit,” tha Arbër Beka për KALLXO.com.

Drejtori i hetimeve të IPK-së është në mesin e personave më të rëndësishëm në hierarkinë e Inspektoratit Policor.

Ky organ ka mandat të hetojë veprimet kundërligjore të policëve të Kosovës.