Kryeministri Kurti nuk do të jetë pjesë e takimit të nesërm në Bruksel

Kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KALLXO.com.

“Kryeministri Kurti nesër nuk do të jetë pjesë e takimit, për informacione të mëtutjeshme do të deklarohet zëvendëskryeministri, sepse është temë e zyrës së tij edhe ai e ka ekskluzivitetin e informacionit. Kryeministri do të jetë nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës”, tha Kryeziu për KALLXO.com

Kryeziu tha që zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi më vonë gjatë ditës në një deklarim për media do të tregoj për temat që do të diskutohen nesër si dhe për takimin me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

“Zëvendëskryeministri Bislimi pas përfundimit të takimit të sotëm e ka një deklarim për media në Bruksel ku edhe do të tregoj për të gjitha detajet. Zëvendëskryeministri Bislimi do t’i përgjigjet gazetarëve në lidhje me temat që do të diskutohen”, tha ai në mes tjerash.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjithçka në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë politike dhe se asgjë s’ka teknike.

Lajçak i ka bërë këto deklarime pas takimit më zëvendëskryeministrin për dialog, Besnik Bislimin.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s’është teknike”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Lajçak pas takimit me Bislimin: Dialogu është politik, s’ka asgjë teknike