Të rinjtë e Kosovës të dekurajuar nga puna për të cilën janë të mbikualifikuar

Kundër dëshirës dhe përgatitjes së tyre, për shkak të gjendjes socio-ekonomike në Kosovë, të rinjtë shprehen të gatshëm të bëjnë punë nën nivelin e kualifikimit të tyre.

Sipas një raporti të BERZh-it për vitet 2016-17, rreth 20 për qind e të rinjve kosovarë, punojnë në vende pune, për të cilat janë të mbikualifikuar.

Gjatë një viti, në universitetet publike dhe kolegjet private në nivelin bachelor diplomojnë rreth 10 mijë studentë dhe më shumë se 2 mijë në nivelin master.

Në mungesë të vendeve adekuate të punës, shumë prej tyre detyrohen të bëjnë punë për të cilat nuk u nevojitet diploma.

Studentët në Prishtinë tregojnë nëse do të punonin në një vend pune për të cilin janë të mbikualifikuar.

“Kjo varet nga gjendja ekonomike e individit. Nëse nevoja për punë është më e madhe sesa avancimi në karrierë, normal që punon çfarëdo pune, edhe nëse je i mbikualifikuar”, thotë Florent Gorqaj.

“Nëse e shohim në aspektin normativ, nuk do të punoja, por pasi tregu është bërë i imponueshëm atëherë puna është bërë për vetë ekzistencën kështu që është pak si e detyrueshme që edhe nëse je i mbikualifikuar për një pozitë të caktuar ta bësh edhe atë punë, edhe pse ndoshta pa dëshirë”, thotë Endrit Binakaj.

Të rinjtë thonë se është shumë dekurajuese nëse punon diçka e ti ke përfunduar studimet për diçka tjetër./REL