Si është të jesh futbollist dhe gjyqtar, tregojnë Patriot Fazliu e Fidan Kqiku

Patriot Fazliu dhe Fidan Kqiku janë futbollistë të KF Kika, që bën gara në Ligën e Dytë të Kosovës.

Përveç që janë bashkëlojtarë, ata kanë edhe një të përbashkët tjetër.

Të dy janë gjyqtarë të futbollit, të licencuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Patriot Fazliu luan në pozitën e qendërmbrojtësit. Në moshën 16 vjeçare kishte debutuar te klubi tij i vendlindjes KF Kaolini nga Kamenica, pastaj do të transferohet te KF Bashkimi, klub nga i njëjti qytet që ka bërë gara në Ligën e Parë për dy vite radhazi.

Edhe bashkëlojtari i Patriotit, Fidan Kqiku, për futbollin u interesua nga fëmijëria. Fillimisht u angazhua te shkolla e futbollit “Arbëria”, pastaj te klubi Gjilani, për të cilin ka luajtur një vit, në ekipin e parë.

Patriot Fazliu dhe Fidan Kqiku

Ndërsa, 24 vjeçari Patriot Fazliu tregon për futbollistin më të mirë me të cilin është përballur. Me këtë rast përmend Mentor Mazrekajn. Ndërsa, lojtarin më ‘fair play’ e konsideron kapitenin e Gjilanit, Ylber Kastrati.

Sa i përket punës së gjyqtarit, ai thotë se inspirohet nga gjyqtari i njohur holandez, Bjorn Kuipers, dhe shpreson që një ditë t’i arrijë sukseset e tij.

“Unë e shikoj me shumë kënaqësi gjyqtarin holandez Bjorn Kuipers, se si e menaxhon një lojë, autoriteti i tij në fushë e shumë gjëra tjera, të cilat e bëjnë gjyqtar të kompletuar”, tregon në një bisedë për KALLXO.com Patriot Fazliu.

Fazliu tregon se atë dhe Fidanin i ka shtyrë të merren me referim ish- trajneri i tyre te KF Bashkimi, Skender Hoxha, e i cili tani është kryetar i Gjyqtarëve të Regjionit të Gjilanit.

“Rrugën e referimit e kemi pasur pasion, qysh më herët, por për ta finalizu këtë rrugë, ishte trajneri Skender Hoxha, për të cilin jemi falënderues”, tregon Patriot Fazliu.

Numri 5 i KF Kika tregon se kur është nën petkun e gjyqtarit, mundohet t’i kursejë futbollistët, pasi edhe vetë e di se çfarë do të thotë ndëshkimi. Por, kur ka duele të ashpra e fjalosje ai thotë se nuk i fal futbollistët.

“Pasi jam vet futbollist mundohem sado pak me i kursy, sidomos në duele, por për fjalosje, protesta, nervozizëm nuk i toleroj”, thekson Fazliu.

Kurse Fidan Kqiku, i cili vjen nga Gjilani, thotë se futbollsti më i mirë që është përballur është Enis Zabërgja.

“Lojtari më i mirë me të cilin jam përballur është Enis Zabërgja, kurse lojtari më i mirë të cilit i kam referuar është Mentor Zhdrella, lojtari më ‘fair play’ është Ylber Kastrati i Gjilanit”, thotë Kqiku.

Fidan Kqiku- Patriot Fazliu dhe kapiteni i SC Gjilanit, Ylber Kastrati

Për 23 vjeçarin referi i preferuar është gjermani Felix Brych.

“Felix Brych për mua është pikë reference që ta vazhdoj karrierën e referimit, atë e përcjell pothuajse në çdo lojë që e ndan drejtësinë dhe mundohem t’i përfitoj gjanat e mira prej tij”, tregon Fidan Kqiku për KALLXO.com.

Arsyeja pse ka zgjedhur referimi, Kqiku thotë se kështu dëshiron të qëndrojë më afër futbollit.

“Unë me topin e futbollit jam prej fëmijërisë dhe mendoj që mos t’i ndahem deri sa të kam fuqi, e që të qëndroj afër lojës më të bukur në botë që është futbolli ka qenë mënyra që të bëhem edhe gjyqtar”, thotë ai.

Patriot Fazliu thotë se referimi në futbollin e Kosovës është duke marrë hapa pozitivë falë kryetarit të gjyqtarëve Përparim Hasanit dhe kryetarit të Lidhjes rajonale të Gjilanit, Malazog Hoxha.

“Cilësia e referimit në Kosovë është rritur mjaft shumë në vitet e fundit, e për këtë meritorë janë Përparim Hasani, Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Malazog Hoxha, kryetar i Lidhjes rajonale të Gjilanit dhe kryetar i komisionit për delegim”, thotë Fazliu.

Fidan Kqiku tregon se nuk është e lehtë që të jetë edhe futbollist edhe gjyqtar i futbollit.

“Është e vështirë, të shtunën jemi gjyqtarë, të dielën futbollistë, kurse ditëve tjera gjithmonë me stërvitje, por me pasion dhe vullnet ia dalim mbanë”, tregon Kqiku.

Patriot Fazliu thotë se për vitin 2020, synim e kanë inkuadrimin në Ligën e Parë, me skuadrën e KF Kikës, të cilët janë kampion vjeshtor në Ligën e Dytë.

“Synimi kryesor është që të inkuadrohemi në Ligën e Parë me KF Kikën, klub në të cilin presidenti i klubit Naim Biqkaj së bashku me kryesinë kanë bërë punë të palodhshme. Po ashtu i falënderojmë edhe tifozët ‘Luanët’ për mbështetjen e dhënë”, thekson Patriot Fazliu për KALLXO.com.