Sakrificat e futbollit kosovar brenda librit të Azem Brovinës     

“Futbolli i Kosovës 1919-2020”, është monografia e cila ka përmbledhur historinë e futbollit kosovar përgjatë 101 viteve.

Azem Brovina sot promovoi librin, i cili në 17 kapituj shpalos kronologjinë dhe rezultatet e zhvillimit të futbollit në Kosovë.

“Gjatë kësaj pune kam pasur shumë vështirësi sepse kam humbur tre miq. Së pari Agim Binakun, Fadil Vokrrin dhe pastaj Gëzim Hadrin. Tri goditje të mëdha më kanë goditur, por punën se kam ndalur se e kam obligim që puna të mbes kujtim për gjeneratat e ardhshme”, tha Brovina.

Redaktori i këtij libri Arben Fetoshi, tha se kjo monografi nuk është vetëm pasuri për futbollin dhe bibliotekat por edhe motiv për brezat e ardhshëm.

Ndërsa, gazetari Tomor Grabovci, tha se libri i kaluar i Azem Brovinës ishte doracak për gazetarët, libri i ri do jetë kryevepër.

Libri është shkruar mjeshtërisht, i argumentuar me gjuhën e fakteve dhe të statistikave, dhe sipas të pranishmëve është arritja më e madhe e futbollit pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Librin e gazetarit sportiv e botoi Shtëpia Botuese “Orfeu”.