Botohet libri për historinë e futbollit në Kosovë

Shtëpia Botuese “Orfeu” nga Prishtina ka botuar monografinë “Futbolli i Kosovës 1919-2019” të gazetarit sportiv Azem Brovina.

Libri përmbledhë historinë 100 vjeçare të futbollit kosovar, duke dhënë informacione rreth gjenezës dhe zhvillimit të këtij sporti në etapa të ndryshme kohore.

Studiuesi Arben Veselaj ka shkruar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, se projekti shumëvjeçar i Azem Brovinës që ka përmbledhur brenda një libri historinë njëshekullore të futbollit kosovar, sublimon përpjekjen hulumtuese shumëvjeçare të autorit (Azem Brovina), si profesionist rigoroz, pedant dhe me kriter, në fushën e gazetarisë sportive.

“Ky libër për shumë arsye është i veçantë sepse është i shkruar mjeshtërisht, i argumentuar me gjuhën e fakteve dhe të statistikave, dhe, si i tillë, i tejkalon kornizat e një historie sporti. Monografia e z. Brovina, në fakt është historia gjithëpërfshirëse e futbollit tonë dhe një hallkë e munguar e kronikës njëshekullore të Kosovës”, ka shkruar Veselaj në Facebook.