Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca e të Akuzuarve për Terrorizëm

Tash kryetar i trupit gjykues në këtë proces do të jetë Arben Hoti që shtyrjen e seancës e arsyetoi me pranimin e fajësisë së disa të akuzuarve para kryetarit tjetër të trupit gjykues, duke thënë se ata duhet të deklarohen edh njëherë në lidhje me fajësinë ose pafajësinë para trupit të ri gjykues.

“Pasi që  gjyqtari Florent Latifi nuk është më kryetar i këtij trupi gjykues, trupi gjykues ka vendosur që të ftohen edhe të pandehurit e tjerë, të pandehur këta që e kanë pranuar fajësinë para kryetarit tjetër të trupit gjykues. Shqyrtimi gjyqësor shtyhet për datën 20 qershor në orën 13:00,” tha Hoti.

Prokuroria Speciale e Kosovës më datën 7 maj 2015 ngriti aktakuzë ndaj Irfan Haqifit, Ernest Beqirit, Fidan Ibrahimajt, Kujtim Bllacës, Blerim Sylës, Fitim Demës, Emri Bushit, Vehbi Gërxhaliut, Fisnik Bushit dhe Kenan Rushitit.

Irfan Haqifi dhe Ernest Beqiri janë akuzuar nga prokuroria për veprën penale rekrutim për terrorizëm, ndërsa të tjerët për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Të akuzuarit Kujtim Bllaca dhe Blerim Syla janë të akuzuar edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Në seancat e mëhershme, gjashtë nga të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë, ndërsa katër të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.

Fajësinë e kanë pranuar të akuzuarit  Kujtim Bllaca, Irfan Haqifi, Ernest Beqiri, Fidan Ibërdemaj,  Vehbi Gërxhaliu dhe Blerim Syla.

Të pafajshëm që nga seanca e parë ishin deklaruar Emri Bushi, Fisnik Bushi, Kenan Rushiti dhe Fitim Dema.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/kater-te-akuzuarve-per-terrorizem-paraburgimi-u-kthehet-ne-arrest-shtepiak/

http://kallxo.com/del-para-gjykates-grupi-i-dyte-i-akuzuar-per-terrorizem/