Presidentja kroate: Mbështesim procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitarovic, ka folur në konferencën pas samitit të procesit të Brdo-Brijunit.

Ajo tha se ky proces po mban interesin e Europës për rajonin e Ballkanit.

“Procesi Brdo Brione vazhdon ta mbajë vëmendjen në këtë pjesë të Europës. Kur flas në Bruksel e shoh se ka jo vetëm mungesë informacioni por edhe mungesë interesi për rajonin. Ky proces po mundohet ta mbajë rajonin në agjendën europiane”, tha ajo.

Ajo shtoi se “e mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapjen e kapitujve tjerë për vendet tjera aspirantë për anëtërsim në BE”.

Në anën tjetër, Borut Pahor, President i Sllovenisë tha se procesi ka ndihmuar në adresimin e çështjeve të Ballkanit.

“Jam i befasuar pozitivisht nga atmosfera në sesionin plenar sot. Nuk po themse kemi zgjidhur probleme por kemi adresuar probleme në një mënyrë miqësore dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë për procesin e Brdo-Brijun. Përveç presidentëve të shteteve, të ftuar nderi janë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, me prezencë të shefes për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Mëngjesin e së enjtes delegacionet kanë arritur në hotelin ku do të mbahet samiti, që nikoqir sivjet është presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Përveç Metës, mysafirët u pritën edhe nga themeluesit e kësaj nisme, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitarovic dhe presidenti slloven Borut Pahor. Aty shtrënguan duart dhe realizuan fotografitë ceremoniale.