Nderohet heroi i Kosovës, Xhemajl Fetahaj

Në 20 vjetorin e tij të rënies, është nderuar heroi i Kosovës, Xhemajl Fetahaj me një akademi përkujtimore.

Pjesë e kësaj ngjarje ishin edhe dy krerët e vendit, presidenti Hashim Thaçi e kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Sot e njëzet vjet më parë ranë heroikisht bashkëluftëtarët tanë Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala në Rrasën e Zogut, aty ku po thyhej përfundimisht kufiri Shqipëri–Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Xhemajl Fetahaj hyn në radhën e veprimtarëve dhe luftëtarëve që kanë një biografi të jashtëzakonshme në rrugën e realizimit të idealit të tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Xhemajl Fetahaj si pjesëtar i organizatave çlirimtare, si student i historisë përjetoi burgun, prej nga e forcoi edhe më shumë bindjen për të punuar edhe më shumë kundër sundimit serb të Kosovës. Pas daljes nga burgu ai dha një kontribut të çmuar në lëvizjen për pajtim dhe kundër hakmarrjes”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Xhemajl Fetahaj për t’i ikur arrestimit të dytë përjeton mërgimin, por asnjëherë nuk e ndali aktivitetin e tij kombëtar për çlirimin e Kosovës.

“Edhe unë kisha nderin të bashkëveproja në të njëjtën organizatë politike me Xhemajl Fetahajn. Me fillimin e luftës në Kosovës, ai nuk mjaftohet me kontributin e dhënë në diasporë, por ngjesh armët në frontin e betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra në istikame”, ka thënë presidenti Thaçi.

Rënia e dëshmorëve të shumtë në beteja, sakrifica e martirëve gjithandej Kosovës, sipas presidentit Thaçi, tregon më së miri çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Për dy dekada Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, por sipas presidentit Thaçi, Kosova ballafaqohet ende me sfida të shtetësisë së saj në rrafshin ndërkombëtar, me synim për t’u anëtarësuar në NATO, BE dhe OKB.

Në nën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se janë mbledhur sot për të shprehur respektin për bashkëluftëtarët shumë të zot, heronjtë tonë që i bashkoi lufta për liri, që i bashkoi Brigada emblemë  138 “Agim Ramadani”, dhe që i bashkoi epopeja e UÇK-së në Koshare, epope e cila siç tha kryeministri, vërtet i dha dimension tjetër luftës sonë për liri.

“Secili nga ne mundohemi të nxjerrim në dritë të vërtetën për këta bashkëluftëtarë, sepse kemi çfarë të tregojmë për këta heronj të shquar dhe t’ua themi brezave”, tha kryeministri Haradinaj.

“Ndërtimi i lirisë, forcimi i shtetit tonë është një proces, kërkon sfida, njerëz të sakrificës, njerëz që kanë dhënë besë dhe kanë besnikëri ndaj bindjeve për liri, për atdhe dhe për shtet dhe unë jam thellë i bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata përjetësisht”, tha në fund ai.

Në emër të familjarëve, të pranishmit i përshëndeti Erëza Fetahaj, vajza e Heroit, Xhemajl Fetahaj.