Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Haradinaj uron për Vitin e Ri, 2019 vit i vendeve të punës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët për festën e Vitit të Ri, duke thënë që 2019-ta do të jetë vit i zhvillimit ekonomik.

Përmes një videoje të postuar në Facebook, Haradinaj së bashku me gruan e tij Anitën, vizitojnë një çerdhe ku u shpërndajnë fëmijëve dhurata dhe u tregojnë përralla.

“Të dashur qytetarë të Kosovës kemi thënë gjithnjë që sfidat vetëm na forcojnë, e kemi gjetur vendin pa energji, pa prodhim, me rrezik me na u rrit çmimi edhe mos me pasë energji. Sot konsumojmë energji të Kosovës, edhe sot jemi të sfiduar me energji, por jemi këtu dhe jemi të fortë”, tha Haradinaj.

Tutje ai në këtë video ka folur edhe për sukseset e vitit 2018.

“E kemi gjetur vendin pa përmbyllje të infrastrukturës së sigurisë, pa ushtrinë e vet, ka edhe diçka sot: ne në tavolinat tona kemi shumë më shumë prodhime vendore. 2019-ta ka me qenë vit i ekonomisë, vit i vendeve të punës. Urime ky vit që po vjen ! Qoftë vit i sukseseve tjera për ne në Kosovë ! Urime e me fat!”, tha tutje ai.