Dr. Flutura Ismajli- Qosja / Gjinekologe

Këshillat e Mjekut: Menstruacionet e para dhe ndryshimet trupore

Për vajzat në pubertet ardhja e ciklit të parë është një periudhë shumë e rëndësishme po edhe stresuese.

Lidhur me këtë periudhë të rritjes foli për KALLXO.com, gjinekologia Flutura Ismajli Qosja.

“Krahas ndryshimeve tjera që ndodhin në pubertet edhe ardhja e menstruacioneve mund të jetë një situatë shumë turbulluese dhe e percjellur me ankth. Për këtë arsye nënat, motrat më të mëdha, shoqet apo edhe informacionet që jepen në shkolle nga mësuesit është vërtetuar që ndihmojnë mjaft që këtë  periudhë t’a kalojn vajzat më lehtë dhe të kuptojnë që është normale dhe ndodh te të gjitha femrat e shëndosha” thotë ajo.

Sipas doktoreshës në vendet e zhvilluara mosha kur vjen cikli te një vajzë e re është 12 deri në 13 vjeç por ndodh që edhe në moshën tetë vjeçare të paraqitet cikli apo edhe në moshën 16-17 vjeçare.

“Këtu luan rol trashëgimia, gjendja ekonomike, ushqimi, aktiviteti fizik, lartesia mbidetare etj. Është mirë të fillojmeë bisedimet para se të vijnë menstruacionet e para , bile edhe në moshën 8 vjeçare kur trupi i saj fillon të kete ndryshimet e jashtme si pasojë e disa hormoneve, si zhvillimi i gjoksit dhe shtimi i qimeve” thotë Ismajli Qosja.

Sipas doktoreshës kryesisht para ciklit të parë menstrual vajzat marrin një zhvillim të hovshëm, pra ato zgjaten dhe shtojnë peshë.

“Zakonisht cikli menstrual zgjat 28 ditë, duke variuar nga 22-36 ditë. Kohëzgjatja e menstruacioneve varion shumë nga 2-7 ditë sidomos në dy vitet e para sepse deri 90 për qind ciklet jane anovulatore(nuk ka ovulacion),pas dy viteve deri 80% të cikleve jane ovulatore (d.m.th.pjellore)” thotë ajo.

Doktoresha thotë se vajzat me mbipeshë apo obeze ciklin e parë e kanë më të hershëm ndërsa ato të dobëtat më të vonshëm ndërsa ato që ushtrojnë aktivitete fizike mund të kenë ndërprerje të ciklit.