Prishtina pa asnjë Zyrë Informative për Turistët

Ndalesa e parë për çdo turist është Zyra Informative për Turistët, e Prishtina nuk e ka një të tillë edhe pse sipas ASK vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, nëpër hotelet e Prishtinës kanë fjetur rreth 30,000 turistë pa përfshirë turistët që kanë fjetur përmes formave tjera që nuk janë hotele.

Rreth 12.700 vizitorë janë informuar në të vetmen Zyrë Informative për Turistët që ka pasur Prishtina në vitin 2013, e cila ka qëndruar e hapur për tetë muaj, por më pas është mbyllur sepse nuk ka pasur mbështetje nga Komuna.

Kjo zyrë qe themeluar me vetiniciativën e Baki Hotit, kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ i cili për KALLXO.com ka thënë se Prishtina duhet të ketë urgjentisht një Zyrë Informative për Turistët.

“Ju e dini që Prishtina të paktën nuk e ka një Zyrë Informative të Turizmit dhe vizitorët bredhin poshtë e lartë dhe nuk kanë ku të marrin asnjë informacion. Pra kjo Zyrë duhet të hapet urgjentisht.  Sa i përket tabelave pastaj janë të mirëseardhura  pra  edhe ato kanë një efekt pozitiv, por deri më tani nuk po shohim asgjë konkrete nga Komuna e Prishtinës, dhe kjo është një pasqyrë shumë e keqe për kryeqytetin”, tha Hoti për KALLXO.com

Hoti gjithashtu tha se Prishtina ka potenciale të shumta për turizëm dhe si shtet kemi mjaftë mundësi që t`u ofrojmë vizitorëve në lloje të ndryshme të turizmit.

“Tashmë Kosova ofron lloje të ndryshme të pakove turistike duke filluar nga ato Kulturore, Malore, pako Ndërkufitare, pako Ballkanike, pra kemi arritur që Kosovën ta përfshijmë edhe ne turet Ballkanike e jo vetëm të jetë si një rrugë tranzit siç ishte deri pak vite më herët dhe si rezultat i kësaj këtë vit kemi një rritje të kërkesave diku rreth 20-25% në krahasim me vitin e kaluar”, shtoi Hoti.

Yll Rugova nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës tha se Komuna ka në fokus turizmin dhe për pesë vjetët e ardhshme Prishtinë do të ketë 32 panele informuese për turistë, ndërsa deri në fund të muajit gusht 13 sosh.

“Paralelisht me strategjinë e cila vendosë vizionin dhe planin për 5 vitet në vijim, kemi shpallur tenderin për panelet informuese turistike, gjithsej 32 sosh. Pas shqyrtimit të fundit e kemi rritur numrin dhe kemi shtuar forma te ndryshme. Këto panele, qysh edhe kemi paralajmëruar pritet të vendosen diku në fund të gushtit dhe do të informojnë turistët për vizita të ndryshme turistike në qytet, si dhe për historitë e ndërtesave dhe periudhave të caktuara”, tha Rugova për KALLXO.com.

Rugova po ashtu tregoi edhe pikat më të vizituara në Kqyeqytet.

“Muzeu Etnologjik, Biblioteka Kombëtare, Shtatorja e Bill Clinton, Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë, Qendra Historike dhe Katedralja e Nënës Terezë janë pikat turistike që grumbullojnë më së shumti turistë në Kryeqytet. E Prishtina ka vizitorë më shumë nga Evropa Perëndimore, Turqia, Shqipëria, Maqedonia, Amerika e kohëve të fundit është në rritja edhe numri i vizitorëve aziatik”, tha Rugova për KALLXO.com.

Zyra Informative e Turizmit duhet të vendoset në ato pjesë ku janë më të frekuentuara prej vizitorëve. Në sheshin “Zahir Pajaziti”, është e vendosur një kioskë e cila do të shërbente për informim, e cila do të funksionalizohet në fund të muajit gusht ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës.