Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli komenton pishmanin e Labinot Tahirit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh i pari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli mohoi se deputeti Labinot Tahiri është dorëhequr nga grupi parlamentar i kësaj  partie.

Ai përmes një statusi në Facebook i quajti thashetheme raportimet për dorëheqjen e Tahirit.

“Labinot Tahiri ka qenë, është dhe do të jetë në AKR, përkundër thashthëmeve dhe konspiracioneve”, shkroi Pacolli.

Në një biesdë për KALLXO.com ai ka sqaruar se e kishte dërguar letrën dhe e njëjta ishte kthyer për t’u plotësuar sipas Nenit 20 të Rregullores së Kuvendit.

“E kam dorëzuar kërkesën për dorëheqje por ajo është rikthyer ndërsa unë do vazhdoj të jem në AKR edhe për një kohë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se ka një marrëveshje me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, për të cilën tha se nëse nuk realizohet sërish do të japë dorëheqje.

“E kemi një marrëveshje me Behgjet Pacollin dhe nëse ajo nuk realizohet unë do jap dorëheqje. Marrëveshja është që të kemi një ministër nga Ferizaj dhe nëse kjo nuk realizohet unë do jap sërish dorëheqje”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Kallxo.com raportoi se Tahiri kishte paraqitur dorëheqjen si deputet i AKR-së te Sekretari i Kuvendit ndërsa ky i fundit e kishte njoftuar deputetin që dorëheqjet duhet të dorëzohen me shkrim në adresë të Kryetarit të Kuvendit.