Transformimi nga Hamami në Muze Arkeologjik - FOTO - VIEDO

Hamami i Gazi Mehmed Pashës nuk është i vetmi i këtij lloji në qytetin historik të Prizrenit.

Tashmë i shndërruar në Muze Arkeologjik, Hamami i Shemsedin Ahmet Beut ka kryer funksionin e banjos publike ose banjos turke para shumë shekujsh në këtë qytet.

Lulëzimi i këtij Hamami ka qenë në kohën kur Prizreni ishte një nga qendrat tregtare më me nam të asaj kohe.

Ky Hamam është ndërtuar në fund të shekullit të 15-të, respektivisht në vitin 1498.

Ndërsa e njëjta ndërtesë në vitin 1975 është shndërruar në Muze Arkeologjik dhe që nga ajo kohë funksionon si i tillë.

Arkeologu Vesel Hoxhaj në një intervistë për KALLXO.com ka treguar historikun e transformimit të Hamamit në Muze, vendosjen e Sahat Kullës në pjesën e ngrohtë të këtij objekti dhe rezistencën që ky objekt i trashëgimisë historike i ka bërë kohës.

“Gjendemi në hamamin e Shemsedin Ahmet Beut ndërsa sot pas transformimit është Muzeu Arkeologjik i Regjionit të Prizrenit. Transformimi i Hamamit në Muze ka ndodh në vitin 1975, por ndërtimi i Hamamit ka ndodh në vitin 1498, kurse në të është e vendosur edhe Sahat Kulla, e cila është vendos në vitin 1868 dhe ky kompozicion arkitektonik i rrallë dhe njëkohësisht i çuditshëm, së bashku është shndërruar në muze arkeologjik në vitin 1975 dhe prej asaj kohe vazhdon ta ushtrojë funksionin e muzeut arkeologjik”, tregon për KALLXO.com Arkeologu Vesel Hoxhaj.

Tutje Hoxhaj ka treguar për kohën e funksionimit të këtij objekti si Hamam.

Hoxhaj ka thënë se ky objekt në kohën e ndërtimit fillimisht është parë si nevojë për shkak se Prizreni ka qenë qendër tregtare dhe lëvizjet e shumta të tregtarëve në Prizren dhe të atyre që kanë kaluar në Prizren për në Ballkan ka qenë e madhe.

Ai po ashtu ka thënë se lagja ku është i ndërtuar atëherë Hamami e tash Muzeu ka qenë i njohur për hanet ose bujtinat, të cilat i kanë shfrytëzuar tregtarët.

“Pasi Prizreni ka qenë qendër tregtare dhe një ndër qendrat kryesore të fillimit të shekullit të 15-të, Hamami ka ardh si nevojë dhe rezultat i lëvizjeve të mëdha tregtare dhe si lëvizje e karvanëve të ndryshme që kanë lëvizë jo vetëm në Prizren, por edhe jashtë Prizrenit në drejtim të Ballkanit ka ardh si nevojë që të ndërtohen shumë hane dhe hanet ose bujtinat në këtë lagje të Hamamit të atëhershëm janë të shumta dhe si rezultat i këtyre tregtarëve ka ardh edhe  nevoja e ndërtimit të një Hamami. Hamami është ndërtuar në vitit 1498 dhe ka vazhduar të funksionojë si i tillë deri në Luftën e Parë Botërore”, tregon Hoxhaj.

“Sahat Kulla është ndërtuar si një vepër e rrallë arkitektonike sepse në atë kohë nuk kishte pikë vrojtimi përveç Kalasë ku mund ta vendosnin orët dhe ta shihnin e gjithë popullata”, ka thënë ai.

Sipas tij dyert hyrëse janë me qemerë, brenda muzeut janë 11 kalime ose dyer, dritare nuk ka për arsye se Hamami ka qenë banjo publike, por i ka vrimat në kupola prej plumbi, të cilat kanë shërbyer për ndriçim.

“Këtu kemi artefaktin më të vjetër në Muzeun Arkeologjik të regjionit të Prizrenit dhe është një sëpate guri nga koha e neolitit të hershëm ose ta quajmë fazës së parë, bishti është rikonstruksion, pra nuk është gjetur me bisht edhe pse edhe atëherë supozohet se bishti të ketë qenë nga druri, sëpata është përdorur për prerje të  drunjve dhe në raste të caktuara edhe për gjueti, vetëmbrojtje”, ka treguan Vesel Hoxhaj për KALLXO.com.