Lojtarët e Kf LLapi festojnë pas golit - Foto: Rtv21

Munishi: Llapi është favorit ndaj Gjilanit

Nesër zhvillohen dy ndeshje mjaft interesante në kuadër të xhiros së 10-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Llapi do të përballet me skuadrën e Gjilanit.

Momentalisht skuadra llapjane është pa trajner dhe në dy lojët e fundit ka pësuar disfatë.

Ndërsa skuadra e Gjilanit vjen pas një humbjeje të befasishme si vendas ndaj Lirisë, dhe për ta ndeshja e nesërme është shumë e vlefshme për të rrëmbyer pikë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Analisti sportiv dhe ish-trajneri i futbollit Ismet Munishi ka thënë për KALLXO.com që skuadra e Llapit është favorit, por në pikëpyetje është se sa ka arritur t’i tejkalojë problemet e fundit.

“Llapi është favorit, por sa ka arritë të rehabilitohet nga zhvillimet e fundit është në pikëpyetje”, ka thënë Munishi.

Ndeshja tjetër është ndërmjet kampionit në fuqi Dritës dhe Ballkanit.

Të dy skuadrat janë duke kaluar në një formë të dobët.

Drita në ndeshjen e fundit ka shënuar fitore ndaj Drenicës si mysafir dhe ndeshja e nesërme për ta shihet si një pikë kthimi.

Ndërsa Ballkani në katër ndeshjet e fundit ka humbur 2 ndeshje dhe 2 ka barazuar dhe gjendet i parafundit në tabelë me vetëm 9 pikë të grumbulluara nga nëntë xhiro. Kjo tregon se ndeshja e nesërme për skuadrën nga Suhareka është goxha e rëndësishme.

Munishi thotë që Drita e Ballkani kanë skuadra të mira, por nuk kanë startuar mirë.

Sipas tij, pozitat se ku qëndrojnë të dy ekipet nuk janë reale. Presioni më i madh nesër është për Dritën.

“Drita, Ballkani, dy skuadra shumë të mira, por nuk kanë startuar mirë, nuk janë në pozitat reale, aty ku janë në tabelë, presioni më i madh për fitore është te Drita”, ka potencuar Ismet  Munishi për Kallxo.com.

Analisti sportiv Ismet Munishi- Foto: Facebook

Ndeshjet fillojnë nesër prej orës 14:45.

Kallxo.com sjell më poshtë edhe gjyqtarët, vëzhguesit dhe delegatët për këto dy ndeshje.