Ilustrim

Martesat e hershme në Kosovë si pasojë problemeve sociale

Martesa e hershme përcaktohet si kurorëzim i personave nën moshën 18 vjeçare.

Në Kosovë, martesat ku njëra ose të dy palët janë nën moshën 18 vjeçare, ndalohen me ligj.

Por, në bazë të Ligji për Familjen i Kosovës, gjykata mund të lejojë martesat e personave më të vjetër se gjashtëmbëdhjetë vjeç nëse konstatohet se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore.

Para se të merret vendimi gjykata dëgjon të miturin dhe prindërit, përkatësisht kujdestarin e tij.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore thotë se fenomeni i martesave te hershme është i përhapur mjaftë në një vend të vogël siç është Kosova.

“Diku rreth 70-80 martesa të hershme regjistrohen të organet shtetërore, por ka edhe shumë raste të tjera të cilat ndodhin por nuk regjistrohen dhe me shqetësuese në Kosovë është fenomeni i martesave të dhunshme që koordinohen nga anëtarët e familjes dhe trafikantet pa pëlqimin e vajzave” thotë ajo.

Vetëm gjatë vitit 2020 në Policinë e Kosovës janë raportuar 42 raste të bashkësisë jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ndërsa gjatë vitit 2019 janë raportuar  41 raste të tilla.

Pasojat që bartin pas vetes martesat e hershme konsiderohen të shumta dhe afatgjata.

Lindja e fëmijëve në moshë të re mund të sjell pasoja fizike dhe psikologjike.

Demolli thotë se lindja e fëmijëve në moshë të re mund të ketë pasoja afatgjata dhe vështirë të rikuperueshme.

“Kur një vajzë 16 vjeçare lind fëmijë pasojat mund të jetë fizike e psikologjike të ndryshme. Pasojë është edhe mos shkollimi dhe këto gra vështirë punësohen dhe vështirë largohen nga kujdesi i përditshëm i fëmijëve dhe anëtarëve tjerë të familjes” shton ajo.

Në Kosovë vetëm gjatë vitit 2020, u bënë 78 lindje nga vajzat nën moshën 18 vjeçare. Ndërsa në vitin 2019 në repartin e gjinekologjisë në QKUK u regjistruan 111 raste të tilla.

Genc Xërxa, sociolog, shton se edhe nga aspekti social këto martesa lenë pasoja të shumta.

“Bëhen barrë e familjes së gjerë, janë të papunësuar e zakonisht e kanë një të ardhme jo të ndritur”, thekson ai.

Sipas UNIFEC-it para pandemisë COVID-19 më shumë së 100 milion vajza pritej të martoheshin para ditëlindjes së tyre të tetëmbëdhjetë në dekadën e ardhshme. Ndërsa tani deri në 10 milionë vajza më shumë rrezikojnë të behën nuse fëmijë si rezultat i pandemisë.

Sociologu Genc Xërxa lidhur me ndikim e pandemisë në rritjen e numrit të martesave të hershme thotë se nuk ka ndonjë statistikë apo shënime profesionale edhe pse raste të tilla janë shtuar kohëve të fundit.

“Rastet e tilla që janë shtuar kohëve të fundit vijnë si rezultat i izolimit dhe moskomunikimit normal mes të rinjve në shoqëri por njëkohësisht këto fenomene i mveshen si pasojë faktorëve të lartpërmendur. Por, edhe determinimi ekonomik mund t`i ketë shtyer familjen e çiftit drejtë këtyre lidhjeve mes të miturve”, shpjegon Xërxa.

Sipas hulumtimeve të organizatave jo qeveritare, më të rrezikuara nga kjo dukuri në Kosovë janë vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Bazuar në raportin e publikuar nga Qendra për Arsim në Kosovë pothuajse 43% e vajzave rome, ashkalike dhe egjiptiane deri në moshën 18 vjeçare janë të martuara ose në bashkëjetesë krahasuar me vetëm 10% të vajzave nga komunitetet e tjera.

Ndërsa sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 37 mijë vajza nën moshën 18 vjeç martohen çdo ditë në botë.