Arrestimi i policit hetues për shantazh, Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Polici nga Gjilani shantazhoi seksualisht mërgimtaren

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj një hetuesi policor i cili akuzohet se ka shantazhuar një grua nga mërgata.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën që shpjegon në detaje se si polici i dyshuar kishte përdorur një rast të raportuar në polici për një vjedhje dhe kishte përdorur kontaktet private të ankueses për ta shantazhuar më vonë.

I. Sh. zyrtar i Policisë së Kosovës, më saktësisht hetues në Stacionin Policor në Gjilan, po akuzohet për detyrim, lëndim të lehtë trupor dhe pengim në procedurën penale.

Kujtojmë se, në shkurt të këtij viti , në “Drejtësia në Kosovë” u shfaq emisioni për këtë rast, ku në detaje u sollën procedurat e prokurorisë ndaj të pandehurit.

Në një dosje me 40 faqe, prokurorja Rozalinda Manastiri tregon se  gjithçka kishte filluar në vitin 2016, më saktësisht në qershor .

Sipak aktakuzës, hetuesi policor I. Sh. kishte marrë një detyrë që të dalë në vendin e ngjarjes në një lokacion ku ishe raportuar se ka ndodhur një vjedhje.

Në dëshminë të pandehurit, thuhet se: “ në vendin e ngjarjes kam dalë unë së bashku me njësitin e krim teknikës, ku më pas kemi takuar edhe njësitin patrullues se bashku me ankuesen e rastit (në këtë rast jo mërgimtarja por mbikëqyrësja e shtëpisë në Kosovë). Rasti për hetime i ishte ndarë hetueses … dhe unë nuk kam pasur qasje në këtë rast deri kur kolegia ime ka ardhur që ta ri- intervistoj ankuesen dhe të dalë në vendin e ngjarjes, e atëherë kemi shkuar unë kolegu tjetër. Në shtëpi nuk kemi hasur pronaren e shtëpisë por fqinja na ka dhënë numrin e telefonit të saj”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, polici ka deklaruar se nuk i kujtohej nëse ai e ka thirrur atë ditë mërgimtaren e cila ka qenë pronare e shtëpisë ndërsa sipas tij kishte deklaruar se të nesërmen mund të shkojë në stacion policor për të dhënë dëshminë.

Ai më pas kishte deklaruar para prokurorisë se nga aty kishte filluar më pas edhe takimi i shpeshtë me mërgimtaren.

Fillimisht polici I. Sh. Ka deklaruar se mërgimtarja i ka ftuar për kafe tre zyrtarët policor që po merreshin me rastin, ndërsa shton polici në deklaratë se pas disa daljeve të tjera kanë shkuar në shtëpinë e mërgimtares ku më pas kanë filluar edhe marrëdhëniet intime.

Lidhja mes mërgimtares dhe hetuesit policor sipas deklaratës së këtij të fundit ka zgjatur që nga  viti 2016 deri në gusht të vitit 2018.

Në anën tjetër, e dëmtuara në këtë rast në deklaratën e saj tha se kishte marrë ftesa nga hetuesi policor për të dalë dhe biseduar për rastin, ku më pas kjo e fundit thotë se i kishte besuar dhe ka dalë.

“Me të njëjtin jam takuar në qytet diku, i cili më ka marrë me një veturë dhe më ka dërguar në … ku ka hyrë me veturë brenda një garazhe dhe nga aty kemi hyrë në një dhomë ku fillimisht mua me dhunë mi ka zhveshur teshat dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale dhe para se të kryej marrëdhënie seksuale më ka rrahur dhe ka bërë incizim me telefonin e tij, i cili me atë incizim më ka kushtëzuar vazhdimisht dhe më ka detyruar që t’i jap të holla”, ka deklaruar në prokurori mërgimtarja.

Para prokurorisë i njëjti nuk e kishte pranuar se kishte bërë ushtruar dhunë fizike ose marrëdhënie intime pa dëshirën e saj. Ai shton në deklaratë se incizimin e ka bërë me telefonin e mërgimtares dhe se të njëjtin e ka bërë me pëlqimin e të dyve.

Ai para prokurorisë kishte pranuar se kishte marrë të holla nga mërgimtarja por me dëshirën e kësaj të fundit për të cilat këto të holla thotë se i kanë shpenzuar bashkërisht.

Ai madje kishte deklaruar se i ka kërkuar mërgimtares që të ndërprejnë marrëdhëniet pasi që siç ka theksuar ai “ kohët e fundit nuk po ec mirë”.

“Këtë fakt ajo nuk e ka pranuar dhe ka filluar të më kërcënoj duke më thënë se do të më lajmëroj në polici, për shkak të situatës së krijuar unë e kam dërguar në banesën e saj ku më pas i kam kërkuar që të dalë nga vetura. Pasi ka dalë nga vetura dy herë ka tentuar që të dalë para veturës sime por unë kam arritur ta shmang dhe jam larguar nga vendi. Një javë më pas ajo ka filluar të më thërras përmes telefonit dhe përsëri kemi vazhduar lidhjen tonë deri më 23 gusht e më pas ne nuk kemi më kurrfarë kontakti mes vete”, thuhet në deklaratën e policit.

Deklarata e mërgimtares e cila i është bashkëngjitur aktakuzës për policin, thotë se ajo ka qenë vazhdimisht e shantazhuar dhe e detyruar që t’i jap të holla madje përmend se polici e kishte njoftuar atë edhe me familjarët e tij.

“ Nuk më kujtohet muaji maj më duket i vitit 2018, unë kam qenë në Kosovë dhe në ditën kritike me të njëjtin në veturën e tij kemi qenë duke shkuar rrugës për Ferizaj dhe ai ka filluar të më kërkoj të holla dhe atë mbi 2 mijë franga, unë fillimisht kam refuzuar të ia jap dhe më pas i kam dhënë 400 franga pasi ai filloi të sillet në mënyrë arrogante ndaj meje, atëherë ai më tha unë po të pres këtu e ti nuk ke qare pa mi dhanë krejt paret e unë kam filluar ta fyej ndërsa ai më tha ti je e vdekur”, ka deklaruar mërgimtarja.

Ajo kishte theksuar edhe se polici i kishte thënë edhe se nuk mund t’i bëj asgjë pasi që mërgimtarja i ishte drejtuar se do ta lajmërojë në polici pasi e kishte rrahur vazhdimisht në veturë.

Mërgimtarja ka deklaruar edhe se ka shitur një pronë në vlerë të 20 mijë eurove ku më pas në pjesë të të hollave ia ka dërguar hetuesit policor.

Në një deklaratë të saj, kolegia e policit I. Sh, kishte thënë se mërgimtaren e kishte njohur në kohën kur kishte marrë vesh se ka rast të raportuar se i është vjedhur shtëpia, ndërsa kishte mësuar se ajo dhe kolegu i tij ishin në lidhje.

Madje në deklaratën para prokurorisë, kolegia e të pandehurit ka dëshmuar se mërgimtarja përmes telefonit i ka deklaruar se I. Sh. po përdor dhunë fizike ndaj saj si dhe po e shantazhon.

Pasi që rasti ishte bërë më i ndjeshëm, kolegia e I. Sh ka njoftuar komandanten e stacionit ku më pas kjo e fundit ka njoftuar Inspektoratin Policor.

Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria, prokurorja Manastiri ka paraqitur edhe rastin e pengimit të procedurës penale, ku ka treguar se më 18 prill të këtij viti, nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan, polici i akuzuar ka ushtruar presion dhe ka kanosur mërgimtaren dhe familjarët e saj me qëllim të parandalimit të pjesëmarrjes së saj për të dhënë dëshmi gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, polici i kishte thë viktimës përmes personave të tjerë i ka thënë se do t’ia dëmtojë autoritetin.