Arrestimi i policit hetues për shantazh, Foto: KALLXO.com

Përfshirja e policisë në aferat seksuale

Të premten në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua reportazhi i arrestimit  të hetuesit policor nga Gjilani i cili dyshohet se për dy vite me radhë kishte shantazhuar një grua nga diaspora në këmbim të parave.

Pamjet ekskluzive nga arrestimi e deri tek paraburgim do të shfaqen në emisionin e sotëm.

Në pesë faqe prova, Prokuroria e Gjilanit pretendon të argumentojë se një polic hetues nga Gjilani ka arritur ta shantazhojë një mërgimtare nga Zvicra.

Sipas dosjes së Prokurorisë, e tërë ngjarja kishte nisur në vitin 2016 ndërsa nga ajo kohë deri në prill të vitit 2018 polici kishte zhvatur para nga mërgimtarja.

“I njëjti kishte kërkuar disa herë me radhë që viktima t’i dërgonte para nga Zvicra në të kundërtën ai do i publikonte materiale nga lidhja intime”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

E njëjta sqaron se rasti kishte nisur të hetohej në prill të 2018-tës kur viktima kishte njoftuar në Polici se ishte sulmuar fizikisht nga polici gjatë një incidenti.

Dosja e Prokurorisë është dorëzuar tashmë në Gjykatë ku edhe është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit për policin.