
Gjykimi i Maliq Berishës - Foto: KALLXO.com
Prek fundin gjykimi i ish-drejtorit komunal të Fushë-Kosovës, Maliq Berisha
Ka prekur fundin gjykimi ndaj Maliq Berishës, ish-zyrtar i Komunës së Fushë-Kosovës, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e datës 18.03.2025 janë dhënë fjalët përfundimtare.
Fillimisht fjalën përfundimtare e ka dhënë prokurorja Elza Bajrami.
“Mbetemi në tërësi pranë aktakuzës për arsye se konsiderojmë se është vërtetuar me të gjitha provat se i akuzuari Maliq Berisha e ka kryer veprën penale. Sipas dëshmive të dëshmitarëve por edhe nga provat materiale të cilat u administruan vërtetohet se i akuzuari ka kryer këtë vepër penale, konkretisht nga fakti se i njëjti duke e ditur se pagesa shtesë prej 107 euro i është dhënë ose i është paguar në mënyrë të ndërlidhshme zyrtarit Halil Berisha vetëm pas njoftimit se është iniciuar procedurë hetimore ka kërkuar ndërprerjen e kësaj pagese e cila më pas është aprovuar nga kryetari i Komunës”– tha prokurorja Elza Bajrami.
“Këto prova e konfirmojnë se po të ishte ligjërisht e lejuar kjo pagesë shtesë atëherë pa marrë parasysh që është filluar procedurë hetimore pagesa nuk do të kishte nevojë që t’i ndërpritej”- shtoi tutje prokurorja Elza Bajrami.
Po ashtu prokurorja tha se tërhiqen nga propozimi për mosushtrimin e funksionit publik sepse tani ky propozim është i panevojshëm pasi që i akuzuari e ka arritur moshën e pensionimit.
Tutje seanca vazhdoi me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të të akuzuarit Maliq Berisha, avokatit Qendrim Arifi.
“Prokuroria nuk ka arritur të na i dëshmojë dy çështje elementare, përkatësisht vërtetimi i të cilave varet nga fajësia apo pafajësia e të mbrojturit tim. Prokuroria nuk ka arritur të na i qartësojë fillimisht se shtesa prej 107 euro a i ka takuar a jo zyrtarit Halil Berisha. Pika e dytë shumë e rëndësishme që Prokuroria s’ka arritur t’i japë përgjigje është ajo a ka qenë përgjegjësi e të mbrojturit tim ndërprerja e shtesës prej 107 euro për zyrtarin Halil Berisha” – tha avokati Qendrim Arifi.
“Në provat e bashkëngjitura aktakuzës, qoftë ato materiale por edhe ato personale, në asnjë formë nuk është vërtetuar që i mbrojturi im ka qenë përgjegjës për veprimin e asaj shtese. Gjithashtu në këtë proces gjyqësor është vërtetuar se përgjegjës ka qenë udhëheqësi i personelit i cili edhe është dëgjuar si dëshmitar në këtë procedurë” – shtoi tutje avokati Arifi.
Paraprakisht në seancën e sotme është bërë administrimi i provave materiale dhe po ashtu e ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Maliq Berisha.
Gjatë dhënies së mbrojtjes ai tha se asnjëherë nuk ishte njoftuar zyrtarisht nga ndonjë organ, drejtori komunale apo zyrtar përgjegjës se diçka ligjërisht nuk është në rregull me shtesën prej 107 euro.
“Jo, asnjëherë, nga askush” – tha i akuzuari Maliq Berisha.
Po ashtu në seancën e sotme para dhënies së mbrojtjes, administrimit të provave materiale dhe fjalëve përfundimtare, është dëgjuar edhe dëshmitari Burim Berisha.
Burim Berisha ishte dëshmitari i fundit i cili e dha dëshminë e tij lidhur me këtë çështje penale.
“Konkretisht a ju kujtohet vendimi i datës 02.02.2015 në të cilin është caktuar kryetari i komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësisht natyrore, për zyrtarin Maliq Berisha?”- e pyeti prokurorja Elza Bajrami.
“Po. Ka qenë caktimi i njerëzve nëpër komisione dhe komuna shtesë për shkak të nevojave dhe propozimeve të ndryshme që vijnë” – tha Burim Berisha.
“Për Halil Berishën në atë kohë ka qenë propozimi që ai me u marrë me çështje zjarri sepse atë kohë kemi pasur 500-600 zjarre brenda vitit, ndërsa çështja e zjarrfikësve ka qenë e pazgjidhur në nivel shtetëror, një kohë pas luftës ka qenë komuna pastaj e kanë bartur në nivel qendror, pastaj janë shtyrë në nivel rajonal dhe sot janë në nivel rajonal dhe kemi shumë probleme në komunikim”- tha Burim Berisha.
“A jeni njoftuar se pagesa shtesë i është ndërprerë zyrtarit Halil Berisha? A e dini për çfarë baze i është ndërprerë?” – e pyeti prokurorja Elza Bajrami.
“Për shkak të presionit të hetuesve policorë, pa të drejtë ia kemi ndërprerë por nuk u bëke ndryshe” – tha dëshmitari Berisha.
Në fund të dëshmisë së tij dëshmitari Burim Berisha tha se i akuzuari Maliq Berisha në këtë rast nuk kishte pasur faj.
“A besoni edhe sot se Maliq Berisha ka qenë personi kompetent dhe përgjegjës për ndërprerjen e shtesës prej 107 euro për zyrtarin Halil Berisha?”- e pyeti avokati Qendrim Arifi.
“Te çështja e marrjes së vendimeve dhe anulimeve nuk është tipike e një personi, ka disa hapa, disa institucione, të cilat merren me një vendim. Është personeli, zyra ligjore, është sektor brenda drejtorive” – tha dëshmitari Burim Berisha.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale pritet të bëhet më 21.03.2025.
Kjo çështje po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Gent Beka (kryetar i trupit gjykues), dhe Fatime Dërmaku dhe Gëzim Ademi.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Elza Bajrami.
Seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte më mbajtur më 05.04.2024.
DOSJA E PROKURORISË
Sipas aktakuzës së datës 29.01.2024, i pandehuri Maliq Berisha akuzohet se nga data 01.01.2014 në vazhdimësi deri më datë 12.08.2022 në Fushë-Kosovë në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Shërbimeve Publike dhe Mjedisit në Komunën e Fushë-Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër me dashje dhe dijeni ka keqpërdorur autoritetet e tij ligjore duke mos vepruar në pajtim me legjislacionin për nëpunësit civil sa i përket shtesave për rrezikshmëri në punë.
Në aktakuzë thuhet që zyrtarit komunal të Fushë-Kosovës, Halil Berisha, i punësuar në pozitën e zyrtarit të Logjistikës dhe Autoparkut, më 01.01.2014 i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, në kundërshtim me Ligjin për pagat e nëpunësve civilë, shtesat për kushte specifike të punës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Maliq Berisha përkundër obligimeve ligjore që kishte si epror i tij, nuk kishte marrë veprime për ndërprerjen e kësaj pagese për zyrtarin Halil Berisha, të cilën i njëjti e kishte pranuar kundërligjshëm që nga muaji janar i vitit 2014 e deri më 12.08.2022, kur këto shtesa ishin ndërprerë pas inicimit të procedurës penale nga ana e Prokurorisë së Shtetit e pastaj edhe pas kërkesës së të pandehurit për ndërprerjen e kësaj pagese.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Maliq Berisha buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm financiar në shumën prej 11,128.00 euro.
Me këtë, sipas Prokurorisë, i pandehuri Maliq Berisha në vazhdimësi e ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.