
Gjykimi për vrasjen në tentativë në Prishtinë, i akuzuari Fitim Doda nuk e pranon fajësinë
Është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Fitim Dodajt dhe Arijan Sjarinës sot në Gjykatën e Prishtinës.
Fitim Doda po akuzohet për veprën penale ”vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa Arijan Sjarina po akuzohet për veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Pas leximit të Aktakuzës nga prokurori Arben Hoti, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.
I akuzuari Doda deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprat që i vihen në barrë nga organi i akuzës.
“Nuk e ni veten fajtor, kurrgjë.” – deklaroi Doda.
Ndërsa i akuzuari tjetër Arijan Sjarina për veprën penale “moslajmërim të veprës penale” deklaroi se e pranon fajësinë.
“E pranoj fajësinë për moskallxim të krimit. E kam bo pa qëllim dhe pa dijeninë time.” – deklaroi para Gjykatës Sjarina.
Mbrojtësja e të akuzuarit Sjarina, avokatja Shemsije Asllani tha se i mbrojturi i saj me vullnet të plotë e pranon fajësinë dhe se i njëjti nuk e ka ditur se duhet të lajmërojë veprën me të cilën ka qenë dëshmitar apo viktimë e rastit.
Tutje, Asllani i propozoi Gjykatës që gjatë shqiptimit të dënimit ndaj të akuzuarit Sjarina t’i marrë shqiptimit të gjitha rrethanat lehtësuese e shfajësuese dhe të njëjtit t’i jepet një dënim sa më i butë – konform Dispozitave ligjore.
Lidhur me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Sjarina, prokurori Arben Hoti deklaroi se Prokuroria nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari Sjarina dhe i propozoi Gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë, mirëpo me rastin e caktimit dhe llojit të dënimit krahas rrethanave të mundshme lehtësuese të vlerësojë edhe rrethanat rënduese: dëshminë e të kaluarës penale të të akuzuarit Sjarina.
Ndërkaq, gjyqtari Gent Beka refuzoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Sjarina për veprën penale “moslajmërim i veprave penale dhe kryersve të tyre”.
“Refuzohet pranimi i fajësisë për veprën penale ‘moslajmërim të veprave penale dhe kryeseve të tyre’, pasi Gjykata vlerëson se nuk përmbushen, pasi që i pandehuri në pranimin e fajësisë, si dhe mbrojtësja e tij deklaruan se vepra është kryer nga padijenia dhe në të njëjtën kohë Gjykata gjen se përshkrimi faktik në Dispovitin 1 të kësaj Aktakuze ndërlidhet ngushtë me përshkrimin 3 të Dispozitivit të Aktakuzës, ku akuzohet se nuk e ka lajmëruar kryesin e veprës penale nga Dispozitivi 1.” – tha gjyqtari Beka.
Tutje, gjyqtari Beka njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe Kërkesë për hudhje të Aktakuzës.
Më 27.03.2024, Policia publikoi emrat dhe fotografitë e dy të dyshuarve, Fitim Doda dhe Arijan Sjarina, të cilët po kërkoheshin për veprën “vrasje në tentativë”.
Fitim Doda, më 24.04.2024, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa më 25.04.2024, Gjykata e Prishtinës ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Tutje, më 03.05.2024, Gjykata e Prishtinës i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji edhe Arijan Sjarinës.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Fitim Doda më 26.03.2024, rreth orës 13:50, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje dhe me armë zjarri, kishte tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Naim Berisha.
Në Aktakuzë thuhet se i pandehuri Fitim Doda derisa ishte duke lëvizur me veturë, tani të ndjerit E.H. të cilin e drejtonte i pandehuri Fitim, ndërsa pasagjer në ulësen e përparme kishte qenë i pandehuri Arijan, të njëjtit ndalojnë veturën në kryqëzim të rrugës “Haxhi Zeka”, me ç’rast i pandehuri Fitim nga brendia e veturës me armë zjarri AK-47 kishte shtënë me armë disa herë në drejtim të veturës Polo.
Tutje në Aktakuzë thuhet se veturën Polo kishte qenë duke e drejtuar i dëmtuari Naim dhe i njëjti në ato momente ishte në lëvizje ballore nga krahu i djathtë i të pandehurit, me ç’rast nga predhat e shkrepura njëra nga to e godet të dëmtuarin – duke i shkaktuar plagë tangjentore në qafë, e kualifikuar si “lëndim i lehtë trupor”, me pasojë të përkohshme për shëndetin.
Me çka ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Po ashtu, i pandehuri Fitim Doda po akuzohet edhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Ndërsa, i pandehuri i dytë Arijan Sjarina po akuzohet për veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Sipas Aktakuzës, nga data 26.03.2024, rreth orës 13:50, në rrugën “Haxhi Zeka”, e deri më 24.04.2024, në Prishtinë, me dashje dhe me vetëdije, duke qenë në dijeni për kryesin e veprës penale “vrasje në tentativë” nuk e kishte lajmëruar faktin e tillë.
Po ashtu sipas Aktakuzës, i pandehuri Arijan Sjarina nuk e kishte lajmëruar vendodhjen e të dyshuarit, në atë mënyrë që i pandehuri në ditën kritike kishte qenë paraprakisht pasagjer në veturën e të pandehurit Fitim Doda, i cili po akuzohet për veprimet e lartcekura.
Gjithnjë sipas Aktakuzës, pasi ishin larguar nga vendi i ngjarjes e deri më 24.04.2024, kur vetë i pandehuri Fitim ishte paraqitur në Polici, i pandehuri Arijan nuk e kishte lajmëruar organin kompetent mbi identitetin dhe vendodhjen e të pandehurit, edhe pse për këtë fakt kishte qenë në dijeni të drejtpërdrejtë.