Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata e kishte përjashtuar avokatin e policit, rasti shkon në Gjykatë Kushtetuese

Kërkesa për vlerësushmërinë e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati Alban Makolli shtynë seancën .

Seanca gjyqësore ndaj zyrtarit policor, Hasan Makolli që po akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe manipulim me prova nuk u mbajtë sot pas kërkesës së avokatit të të akuzuarit.

Avokati Halil Shaljani kërkoi që kjo seancë të shtyhet për shkak që një avokat në këtë rast Alban Makolli, i cili mbronte të akuzuarin para avokatit Shaljani ishte përjashtuar nga gjyqtari, e për këtë përjashtim është dërguar kërkesë për vlerësueshmërinë e kushtetutshmërisë.

Avokati tha se sipas Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri mund të caktojë avokatin tij sipas zgjedhjes së tij.

“Në qoftë se vazhdoj mbrojtjen time, bëj shkelje të dispozitave të ligjit dhe rregullatives së avokatisë e gjithashtu edhe të pandehurit do t’i shkelet e drejta për të zgjedhur mbrojtësin sipas zgjedhjes së tij”.

Avokati para gjykatës tha se në qoftë se Gjykata Kushtetuese gjen shkelje kushtetuese, ky gjykim do të kthehet në pikën 0.

Shaljani gjithashtu shtoi se personalisht të dëmtuarin Premtim Ipshi e ka shok që nga klasa fillore dhe ka njoftuar të pandehuri rreth kësaj çështje ditën e sotme.

Pas kësaj kërkese, kryetarja e Trupi Gjykues, Alltëne Muresli në konsultim me gjyqtarë zëvendësues Adnan Kamberi dhe Dibran Isufi, aprovoi kërkesën e Avokatit Halil Shaljani dhe merr vendim që kjo seancë të shtyhet në  kohë të pacaktuar deri në pritjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese .

Sipas Aktakuzës, i pandehuri Hasan Makolli në cilësinë e personit zyrtar, deri sa punonte në Njësinë për Reagim të shpejtë-DRP Prishtinë, me pozitë zyrtar policor, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar.

Sipas prokurorisë, Hasan Makolli me datën, 17.07.2020, rreth orës 21:50h, kishte shkuar në objektin e biznesit Radio Taxi “Beki”, ku kishte ndodhur një rrahje ndërmjet punonjësve të këtij biznesi, Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi.

Sipas prokurrisë, pas incidentit, në bazë të audio-video inçizimeve, i pandehuri i lartcekur Hasan Makolli iu kishte dhënë instruksione apo udhëzime palëve të dyshuara, të përfshira në atë rast, se çfarë të deklarojnë ata lidhur me rrahjen e të dëmtuarit të lartcekur Premtim Ipshi, si dhe të i fshinin audio-video inçizimet nga kamerat të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e incidentit (rrahjes) ndërmjet punonjësve të biznesit Radio Taxi “Beki” Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi.

Me këtë ka kryer veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ka kryer veprën penale Manipulim me prova.