Zyrtarit policor në Leposaviq i digjet shtalla

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një zyrtarit të Policisë së Kosovës në Leposaviq iu është djegur një objekt.

Objekti që dyshohet që është djegur rreth orës 04:00 të mëngjesit ka qenë një shtallë.

Siç ka njoftuar Policia, zyrtari, të cilit iu është djegur shtalla, është burrë kosovar i komunitetit serb.

“Policia e Kosovës, me datën 6 nëntor 2022, rreth orës 04:00, pas mesnates, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një objekti, shtall, pronë e viktimës burrë kosovar i komunitetit serb, me banim në Donje Kërnjen nga komuna e Leposaviqit” – ka thënë Policia.

Siç njoftohet njësitet e nevojshme policor kanë dal në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet policore.

Se cilat janë motivet e kësaj zjarrvënie apo a ka ndonjë person të dyshuar, nuk është thënë në komunikatën e Policisë.

Mirëpo, është njoftuar se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private.

Tutje Policia tha se do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësve të këtyre veprave kriminale.

Të shtunën, në veri të vendit, zyrtarë policorë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje duke e dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo nën dyshimet se Gjuriq po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

Po ashtu sot dhanë dorëheqje edhe katër kryetarët e komunave veriore.