Ilustrim - Gaza

Zyrtarët në Gaza pretendojnë se Izraeli vrau mbi 200 persona, për shpëtimin e katër pengjeve

Ushtria izraelite shpëtoi katër pengje në një operacion special në kampin e refugjatëve Nuseirat, në qendër të Gazës, për të cilin autoritetet e Gazës thanë se vranë 210 njerëz dhe plagosën më shumë se 400 të tjerë.

Sipas CNN, Noa Argamani, Almog Meir Jan, Andrey Kozlov dhe Shlomi Ziv, u shpëtuan nga ushtria izraelite, inteligjenca dhe forcat speciale nga dy vendndodhje të veçanta në Nuseirat, thanë të shtunën Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).

Të katër u rrëmbyen nga festivali muzikor Nova më 7 tetor.

“Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në Qendrën Mjekësore “Sheba” Tel-HaShomer për ekzaminime të mëtejshme mjekësore” –  shtoi IDF.

CNN raporton se një polic izraelit nga një njësi speciale kundër terrorizmit u vra në operacionin e shpëtimit të së shtunës, sipas policisë izraelite.

Lajmi për shpëtimin erdhi menjëherë pasi ushtria izraelite tha se po operonte në Nuseirat dhe zona të tjera të Gazës qendrore, ku u raportuan granatime të rënda dhe zjarr artilerie.

Të paktën 210 persona janë vrarë si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe më shumë se 400 janë plagosur, tha të shtunën zyra qeveritare e mediave në Gaza.

Të vrarët dhe të plagosurit po mbërrijnë në dy spitale në Gaza, Spitalin Al-Awda në Nuseirat dhe Spitalin e Martirëve Al-Aksa në Deir Al-Balah, shtoi zyra e mediave.

Po ashtu CNN ka thënë se nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar numrin e viktimave të raportuara nga zyra qeveritare e mediave në Gaza. Zyra e medias nuk bën dallim mes civilëve dhe militantëve të vrarë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se numri i viktimave nga operacioni ishte “nën 100” dhe nuk kishte asnjë informacion se sa prej tyre ishin civilë.