Zyrtarët e lartë amerikanë do ta vizitojnë Kievin sot

Lufta në Ukrainë po vazhdon me intensitet të madhe edhe sot në ditën e 60-të. 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin, do të udhëtojnë në Kiev për ta takuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, sot, të dielën. Ky do të jetë udhëtimi i parë i nivelit të lartë të ShBA-së në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Gjatë një konferencë për media të shtunën e mbajtur në një stacion metroje, Zelenskiy tha se Ukraina do t’i kërkojë ShBA-së më shumë armë të rënda për ta mposhtur Rusinë. “Sapo të kemi [më shumë armë], sapo të ketë mjaft prej tyre, më besoni, ne do ta rimarrim menjëherë këtë apo atë territor, i cili është i pushtuar përkohësisht”, tha Zelenskiy.

Presidenti i Ukrainës foli gjerësisht edhe për negociatat e mundshme të paqes me Rusinë, duke thënë se nëse Moska vret ndonjë mbrojtës të Mariupolit – ose vazhdon me referendumin e pavarësisë në rajonet pjesërisht të pushtuara jugore të Khersonit dhe Zaporizhzhisë – Ukraina do t’i pezullojë negociatat e paqes me Moskën.

Në sulmet në prag të Pashkëve Ortodokse, forcat ruse goditën qytete dhe qyteza në Ukrainën jugore dhe lindore. Një foshnjë tre muajshe ishte në mesin e tetë personave të vrarë kur forcat ruse gjuajtën me raketa lundrimi në qytetin port të Detit të Zi, Odesa, thanë zyrtarët. Tetëmbëdhjetë të tjerë u plagosën.

Dy gjeneralë rusë u vranë pranë Khersonit, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Një tjetër është në gjendje kritike. Ushtria ukrainase goditi të premten postin komandues të ushtrisë së 49-të të Rusisë pranë kryeqytetit rajonal të pushtuar, tha ministria në fjalë.

Fati i ukrainasve në fabrikën e madhe dhe të rrethuar të çelikut në Mariupol është ende i paqartë. Më herët të shtunën, një njësi ushtarake ukrainase publikoi një video që thuhet se është marrë dy ditë më parë, në të cilën gra dhe fëmijë të strehuar nën tokë, disa edhe për dy muaj, thanë se dëshironin ta shihnin diellin.

Një tjetër përpjekje për të evakuuar gra, fëmijë dhe të moshuar nga Mariupoli dështoi të shtunën. Petro Andryushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, tha se forcat ruse nuk lejuan autobusët e organizuar nga ukrainas t’i dërgonin banorët në Zaporizhzhia, një qytet 227 km në veri-perëndim.

Instituti për Studimin e Luftës me qendër në ShBA e ka publikuar analizën e tij më të fundit, duke paralajmëruar se forcat ruse ka të ngjarë ta rrisin shkallën e operacioneve ofensive tokësore në ditët në vijim.

Ky institut parashikon se Rusia ka të ngjarë t’i vazhdojë sulmet në jug-lindje nga Izyum, në perëndim nga Kreminna dhe Popasna, dhe në veri nga Donetsk përmes Avdiivka ose një aks tjetër. Forcat ruse do të përpiqen t’i mbajnë në gjendje urie mbrojtësit e mbetur të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol dhe nuk do të lejojnë evakuimin e civilëve të bllokuar, shton tutje instituti i lartcekur.

Pamjet satelitore të publikuara këtë javë treguan ato që dukej se ishin dy varreza masive të gërmuara së fundmi pranë varrezave në dy qytete pranë Mariupolit dhe zyrtarët lokalë e akuzuan Rusinë se ka varrosur mijëra civilë për ta fshehur masakrën që po ndodhte atje. Kremlini nuk ka komentuar mbi këto pamje.

Rusia zyrtare ka deklaruar  ka marrë kontrollin e disa fshatrave gjetkë në rajonin lindor të Donbasit dhe ka shkatërruar 11 objektiva ushtarake ukrainase të shtunën, duke përfshirë tri depo artilerie. Sulmet ruse goditën gjithashtu zonat e populluara.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar publikoi një përditësim të inteligjencës duke i detajuar akuzat se Rusia po planifikon të rekrutojë civilë ukrainas në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia.

Gati 5.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për shkak të luftës. Numri i ukrainasve që largohen nga vendi që nga pushtimi i Rusisë tani është 5,163,686, thotë agjencia e OKB-së për refugjatët.

Një e treta e gazit rus të eksportuar në Bashkimin Evropian mund të preket për shkak të luftës, ka deklaruar kreu i kompanisë shtetërore të gazit të Ukrainës Naftogaz./The Guardian