Ilustrim

Zhvillimet e fundit nga lufta Izrael - Hamas

Hamasi është gati ta vazhdojë një luftë të gjatë me Izraelin dhe do t’i përdorë dhjetëra pengje që mbahen në Gaza për të siguruar lirimin e palestinezëve të ndaluar në Izrael dhe jashtë saj, ka thënë një anëtar i lartë i grupit militant. Duke folur për agjencinë e lajmeve Associated Press, Ali Barakeh, anëtar i udhëheqjes së grupit në mërgim në Bejrut, ka thënë se Hamasi ka një arsenal raketash që do të zgjasnin një kohë të gjatë.

Barakeh ka thënë se edhe Hamasi është i tronditur nga shtrirja e operacionit, duke thënë se ka pritur që Izraeli ta parandalonte ose kufizonte sulmin. “Ne ishim të befasuar nga ky kolaps i madh”, thotë Barakeh. “Po planifikonim të bënim disa përfitime dhe të merrnim të burgosur për t’i shkëmbyer. Kjo ushtri është një tigër letre”.

Sulmet ajrore izraelite në Gaza kanë rrafshuar 790 njësi banimi dhe kanë dëmtuar rëndë 5,330 sosh, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare herët të martën. Dëmtimi i tri zonave të ujit dhe kanalizimeve i ka ndërprerë shërbimet për 400,000 njerëz.

Izraeli e ka rimarrë kontrollin e gardhit kufitar të Gazës, pa infiltrim të ri që nga e hëna. Izraeli e ka rimarrë kontrollin e gardhit të thyer nga persona të armatosur palestinezë të Hamasit, të cilët ndërmorën një inkursion masiv të fundjavës, dhe po vendos mina në pjesët ku u rrëzua barriera, ka thënë të martën zëdhënësi kryesor ushtarak. Në komentet e transmetuara nga Radio Ushtria e Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari ka thënë se nuk ka pasur infiltrime të reja nga Gaza që nga e hëna.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, IDF, kanë njoftuar se më shumë se 200 objektiva janë goditur gjatë natës në Gaza. “Gjatë orëve të fundit, avionë luftarakë dhe anije të IDF-së kanë sulmuar shumë objektiva të organizatave terroriste në të gjithë Rripin e Gazës. Dhjetra avionë luftarakë sulmuan mbi 200 objektiva në të gjithë lagjen Rimal dhe Khan Yunis gjatë natës”, ka thënë IDF në një postim në X të shoqëruar nga një video që i shfaq ndërtesat duke u shkatërruar.

Times of Israel raporton se zyrtarët izraelitë po përgatiten të informojnë 100 familje se të dashurit e tyre janë marrë peng nga Hamasi dhe po mbahen në Gaza. “Forca e Mbrojtjes e Izraelit po dërgon sot zyrtarë për të informuar mbi 100 familje izraelite se të afërmit e tyre mbahen në Gaza nga Hamasi”. Ai shton se “ambasadori i OKB-së Gilad Erdan i ka thënë CNN se Izraeli vlerëson ‘se numri i pengjeve është midis 100-150 njerëzve’”.

Udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer, e ka kritikuar përgjigjen e Pekinit ndaj konfliktit Izrael-Hamas teksa ishte në Kinë, duke i bërë thirrje qeverisë atje të tregojë më shumë mbështetje për Izraelin. Schumer foli vazhdimisht për përgjigjen e Kinës, duke përfshirë drejtpërdrejt liderin e Kinës, Xi Jinping, të hënën, gjatë një takimi të rrallë në një udhëtim shumëditor në këtë vend. “Ju bëj thirrje juve dhe popullit kinez që të qëndroni me popullin izraelit dhe t’i dënoni sulmet frikacake dhe të egra ndaj tij”, i tha ai Xi-t në Pekin.

Tre shtetas austriakë mund të jenë në mesin e të rrëmbyerve nga Hamasi, thotë Ministria e Jashtme austriake por shtoi se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Tetëmbëdhjetë tajlandezë janë vrarë në konfliktin midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit, ka thënë qeveria e mbretërisë tajlandeze të martën, nga numri i mëparshëm prej 12. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka thënë se nëntë shtetas tajlandezë u plagosën dhe 11 u morën peng. Rreth 30,000 tajlandezë punojnë në Izrael.

SHBA ka filluar tashmë dërgimin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael, ka thënë Shtëpia e Bardhë të hënën, ndërsa Pentagoni po i rishikon inventarët e tij për të parë se çfarë tjetër mund të dërgohet shpejt për të nxitur aleatin e saj në luftën treditore me Hamasin. John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, konfirmoi të hënën në mbrëmje se grupi i parë i ndihmës ushtarake në vazhdën e sulmit të dhunshëm nga militantët e Hamasit “është në rrugë” për në Izrael.

Numri i të vdekurve palestinezë është rritur në më shumë se 680 të vrarë në kundërsulmin izraelit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Sipas autoriteteve, numri i të vdekurve izraelitë është më shumë se 900./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala