Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Zelenskyy në Shqipëri, pritet në takim nga Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në takim më 28.02.2024 presidentin e Ukrainës, Voldymyr Zelenskyy.

Zelenskyy po qëndron në një vizitë zyrtarë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” që nis  punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve  nga  Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor më 28.02.2024.

Në këtë takim liderët pritet të diskutojnë se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës.

Kryeministri Rama dhe presidenti Zelenskyy nisën një takim kokë më kokë, në zyrën e Ramës, që vijon me takimin mes dy delegacioneve, të Shqipërisë dhe Ukrainës.

Që vizita e Zelenskyyt të përcillet pa ndonjë incident, Policia në Shqipëri në bashkëpunim me Gardën e Republikës, janë angazhuar me masa të rrepta sigurie, duke njoftuar se disa rrugë do të jenë të bllokuara në kohë të ndryshme gjatë lëvizjes se delegacionit nëpër kryeqytet.

Sipas agjendës, Rama dhe Zelensky do të firmosin një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Rreth orës 11:00, do të fillojë pritja e liderëve tek Pallati i Kongreseve, kurse rreth gjysmë ore më vonë, do të ketë fjalë hyrëse të sesionit nga Rama dhe Zelenskyy.

Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani, përderisa prezent pritet të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Samiti për Ukrainën do të mbyllet me nje foto familjare në ora 13:00.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Në kundërpërgjigje të Rusisë, vendet perëndimore, përfshirë edhe Kosovën, kanë vendosur sanksione të ashpra.