Will Smith përjashtohet nga Oscars për 10 vjet
Aktorit amerikan, Will Smith, i është ndaluar pjesëmarrja në ndarjen e Çmimit Oscar dhe në ngjarje të tjera të Akademisë amerikane të Filmit për dhjetë vjet, pasi ai goditi me shuplakë komedianin Chris Rock në ceremoninë e fundit të Oscars.
Akademia e Artit, Filmit dhe Shkencës, që organizon ceremoninë e ndarjes së Çmimit Oscar, u takua të premten virtualisht për të vendosur për masat disiplinore.
Smith ka kërkuar falje për veprimet e tij dhe ka dhënë dorëheqje nga Akademia.
Aktori amerikan goditi komedianin Rock pasi ky i fundit bëri shaka me kokën e rruar të gruas së Smith, e cila vuan nga alopecia, sëmundje që shkakton rënien e flokëve.
Më pak se një orë pas kësaj ngjarjeje, Will Smith mori çmimin për aktorin më të mirë për rolin në filmin “King Richard”, ku ka portretizuar babanë e tenisteve Venus dhe Serena Williams.
Në deklaratë, Akademia tha se edicioni i 94-të i Oscars “u la në hije nga sjellja e papranueshme dhe e dëmshme që Smith bëri në skenë”.
Kjo organizatë tha se në kohën kur Smith goditi Rock, Akademia nuk kishte qenë e përgatitur që ta trajtonte siç duhet situatën e paprecedentë dhe kërkoi falje për këtë gjë.
Akademia po ashtu falënderoi komedianin Rock që u tregua i përmbajtur “nën rrethana të jashtëzakonshme”.
Në letrën e dorëheqjes, Smith ndërkaq kishte shkruar se ai ka “tradhtuar besimin e Akdemisë”, duke shtuar se ishte “zemërthyer” nga veprimet e tij.
Dorëheqja e tij nënkupton se ai nuk do të mund të votojë për edicionet e ardhshme të Oscars.
Akademia fillimisht kishte paraparë që të dilte me një vendim disiplinor më 18 prill, por dorëheqja e aktorit Smith e ka përshpejtuar këtë proces.
Shumë pak persona kanë dhënë dorëheqje nga Akademia. Katër anëtarë – producenti Harvey Weinstein, aktori Bill Cosby, regjisori Roman Polanski dhe kinematografi Adam Kimmel – janë përjashtuar nga Akademia lidhur me pretendimet për abuzime seksuale, ndërkaq aktori Carmine Caridi ishte përjashtuar më 2004 për shkak të piraterisë së filmave./REL