WhatsApp prezanton opsionin Chat Lock përmes të cilit i bllokon bisedat dhe i fsheh njoftimet

WhatsApp e ka prezantuar një veçori të re të quajtur Chat Lock, e cila do t’i lejojë përdoruesit e aplikacionit popullor t’i mbajnë disa nga bisedat e tyre private.

Mjeti i ri u ofron përdoruesve mundësinë për ta “kyçur” çdo bisedë, e cila më pas ruhet në një dosje të veçantë të disponueshme vetëm pas identifikimit biometrik, skanimit të gjurmës së gishtit ose fytyrës ose futjes së kodit aktual. Duke e aktivizuar këtë funksion, bisedat e kyçura fshihen në njoftime.

Për ta përdorur veçorinë e re, përdoruesi duhet ta klikojw bisedën ose grupin dhe ta zgjedhë opsionin e kyçjes. Kur ai dëshiron ta lexojë bisedën, ai thjesht duhet ta fusë një kod ose të kryejë një skanim biometrik.

WhatsApp thotë se kjo është një veçori e re e mrekullueshme për ata që i ndajnë telefonat celularë me anëtarët e familjes, ose ata që duan ta fshehin përmbajtjen e bisedave të caktuara nga njerëzit që “po e mbajnë telefonin përkohësisht në dorë”.

Gjithashtu, është e mundur të bllokohet plotësisht qasje në aplikacionin WhatsApp.

Kompania tashmë është duke përgatitur opsione të reja për Chat Lock, dhe ndër to është krijimi i një kodi të veçantë për çdo bisedë, si dhe një mjet që i bllokon bisedat në pajisje të shumta. Meta po bën gjithçka për ta bërë WhatsApp sa më të sigurt dhe të besueshëm, dhe së fundmi e përmirësoi sistemin e verifikimit për t’i penguar mashtruesit dhe shtoi më shumë opsione për zhdukjen e mesazheve./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala