VV e NISMA prijnë me numër të vëzhguesve në QNR

Edhe sot, njësoj sikur dy ditët e kaluara, është duke vazhduar rinumërimi i 1.428 vendvotimeve pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në këtë proces të angazhuar janë 79 vëzhgues. KALLXO.com ka siguruar një foto, që shihet se cila parti ka më shumë të angazhuar.

Interesim më të madh për rinumërim shihet të kenë Lëvizja Vetëvendosje me 33 vëzhgues dhe koalicioni Nisma-AKR-PD me 23 vëzhgues.

Më së paku vëzhgues sot në Qendrën e Numërimit të Rezultateve ka AAK-PSD me vetëm 3 dhe PDK me 6 vëzhgues.

LDK-ja ka 14 vëzhgues dhe Lista Serbë asnjë. Po ashtu sot në këtë proces të rinumërimit nuk ndodhen asnjë vëzhgues ndërkombëtarë.

Gjatë ditës, Nisma dhe VV kanë pasur polemika mes vete duke akuzuar njëra-tjetrën se po ushtrojnë presion mbi vëzhguesit në QNR.

KQZ-ja sot kishte njoftuar se deri në ora 09:00 të mëngjesit ishin numëruar 170 vendvotime.

Si pasojë e këtij rinumërimi, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zvarritet deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë.

PZAP të hënën kishte vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1 mijë e 428 vendvotimeve pas ankesave të pranuara nga subjektet politike që gjithsej ishin 102, si dhe ta pranojë të bazuar ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia.