Vushtrri, plagoset me armë zjarri një person

Një person është plagosur me armë zjarri në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë.

Ngjarja, siç mëson KALLXO.com ka ndodhur sot më 20.02.2024 rreth orës 11:45.

Sipas burimeve të KALLXO.com, dy persona të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.

Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë dhe më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Plagosja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me punimin e një are.

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë pas kontrollimit të dy lokacioneve, ndërkaq në vendin e ngjarjes ka sekuestruar një gëzhojë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka dalë me njoftim.

Sipas njoftimit, të publikuar më 20.02.2024 në ora 20:47, rreth orës 11:45 Policia është informuar se tre persona të lënduar kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin e Vushtrrisë. Sipas mjekut njëri nga të lënduarit kishte pësuar lëndime nga arma e zjarrit.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë:

Arrestohen dy persona të dyshuar për veprat penale ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘ lëndim trupor’

Vushtrri, 20 shkurt 2024

Sot, rreth orës 11:46, është raportuar se tre persona kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin e Vushtrrisë. Sipas mjekut njëri nga të lënduarit (viktima) ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, i njëjti është transferuar në SHSKUK-së, për tretman mjekësor.

Nga hetimet e para të zhvilluara, bëhet e ditur se incidenti ndërmjet të dyshuarve dhe viktimës ishte si rrjedhojë e një mosmarrëveshje e ndodhur në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë.

Veprimet policore kanë rezultuar me gjetjen e një gëzhoje në vendin e ngjarjes, ndërsa si pjesë e hetimeve të zgjeruara janë realizuar edhe bastisje,  me ç’rast në njërin lokacion të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë e shkurtë pistoletë me nëntë (9) fishek. 

Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’ i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari për veprën ‘ lëndim trupor’ ështe liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet po zhvillohen për veprat penale ‘Vrasje në tentativë’, “Lëndim trupor” dhe ‘ armëmbajtje pa leje’.

(Shënim: Ky artikull është edituar më 20.02.2024 në 21:15h, në pjesën ku flitet për kohën kur ka ndodhur rasti, si dhe është shtuar njoftimi i plotë i Policisë)