Foto: Ilustrim

Vushtrri, arrestohet burri që dyshohet se e sulmoi fizikisht gruan e tij

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet janë regjistruar në Vushtrri, Pejë, Shtime dhe Gjilan.

Në Vushtrri një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur dje në ora 09:00.

“Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”-thuhet në njoftim.

Në Pejë një burrë është arrestuar për shkak se dyshohet që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Tek i dyshuari Policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur dje në ora 09:40 dhe viktima ka pranuar tretman mjekësor. “Pas intervistimit në konsultim me prokurorin, i dyshuari është dërguar në mbajtje”-thuhet në njoftim.

Ndërsa në Shtime, një grua ka raportuar se ish-burri i saj ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”. Sipas raportit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 1 maj 2022 ndërsa është raportuar dje në Policinë e Kosovës. Rasti nën hetime, ka njoftuar PK.

Një grua në Gjilan ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga vajza e saj. Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur dje në ora 05:15.

E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit e është dërguar në mbajtje. “Rasti në procedurë hetimore”-ka njoftuar Policia.