Vuçiq tha se Eswatini ka çnjohur Kosovën, ambasadori Kapiti takohet me komisioneren e lartë të këtij shteti

Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, është takuar sot me Komisioneren e Lartë të shtetit të Eswatinit në Londër.

Eswatini është një prej shteteve të përmendura nga presidenti serb për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo ambasadori Kapiti njoftoi për takimin e sotëm duke thënë se kanë diskutuar për forcim të marrëdhënieve mes Eswatinit dhe Kosovës.

“Sot bëra një vizitë te Komisionerja e Lartë znj. Thandazile P. Mbuyisa në Ambasadën e Mbretërisë së Eswatinit, në Londër. Ishte kënaqësi të trajtonim ngjarjet aktuale globale dhe ne mezi presim të forcojmë marrëdhëniet tona Eswatini-Kosovë duke eksploruar mundësitë ekonomike”, ka shkruar në Twitter Kapiti.

Eswatinit ka qenë një ndër 9 vendet, për të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia, ne jemi duke pritur për të dhjetin” – citohet të ketë thënë Vuçiq sipas raportimit të Tanjug.

Autoritet në Kosovë, MPJD por edhe vetë kryeministri Albin Kurti mohuan se këto pretendime janë të vërteta.