Gërvalla: Çnjohja nga Togo ka ndodhur më 2019

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar pas lajmeve për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Togo.

Përmes një postimi në Facebook, kryediplomatja kosovare ka thënë se çnjohja nga Togo ka ndodhur në vitin 2019, para se të vinte qeveria Kurti.

“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas kryediplomatës kosovare, Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999.

“Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën.  Daçiçi, Vuçiçi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë  ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta”, ka thënë ajo.

Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, konfirmoi dje në Beograd “mbështetjen e parezervë” për integritetin territorial të Serbisë, raportoi agjencia Beta.

“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha ai gjatë takimit në Beograd më 16 janar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Togo njohu pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 2014 dhe atëbotë kishte qenë pikërisht kryediplomati Dussey që me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.

Më 4 janar, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Serbisë edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njëjtë.

“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia, ne jemi duke pritur për të dhjetin” – citohet të ketë thënë Vuçiq.

Këto pretendime të presidentit serb, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i konsideroi të pavërteta.

Kurti: Pretendimet për tërheqje të njohjeve janë të pavërteta