Vuçiq: Serbë të veshur me uniforma dhe të paarmatosur u shfaqën për të mbrojtur veriun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në seancën e Kuvendit të Serbisë ka folur për zhvillimet në veri të Kosovës, me 31 korrik të këtij viti.

Vuçiq ka thënë se për herë të parë ishin shfaqur serbë, të rinj dhe të vjetër, më uniforma, të cilët sipas tij do ta “mbronin Kosovën nga agresorët”, shkruan Kossev.

“Për herë të parë u shfaqën fytyra, të rinj dhe të vjetër, me uniforma të ndryshme që kërkojnë të mbrojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë nga agresorët. Kur ata të rinj të kombësisë serbe u shfaqën pa armë, i gjithë populli, të gjitha gratë në zonat urbane, zbritën për t’i përshëndetur dhe për t’u thënë – ‘Mirë se erdhe liri’ – ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka marrë pjesë në atë që siç e ka quajtur ai “gjeneralizim të krizës” por që supas tij, ishin në favor të dialogut dhe zgjidhjen paqësore të problemit.

“Serbia në asnjë mënyrë nuk mori pjesë në gjenerimin e krizës.” “Përkundër gjithçkaje, ne ishim konsekuent në favor të dialogut, të vetëdijshëm se zgjidhja paqësore e problemit është e vetmja rrugë dhe se çdo gjë tjetër çon në destabilitet dhe konflikte të mundshme” – tha Vuçiq.

Sipas Kossev, Vuçiq ka theksuar se Serbia është konstruktive, por jo nga frika për 3700 ushtarët e KFOR-it në Kosovë.

“Ne kemi më shumë prej tyre dhe nuk jemi më pak të armatosur. Por problemi është se ne do të shkaktonim katastrofë për të gjithë vendin nëse nuk do të donim paqen dhe stabilizimin”- ka shtuar Vuçiq.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi të Qeverisë së Kosovës , që qytetarët e Serbisë të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje për në Kosovë, më 31 korrik të këtij viti, grupe të organizuara bllokuan rrugët për në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.