Fotografi nga vendi i ngjarjes pas vrasjes në një hotel në Prishtinë, Foto; KALLXO.com

Vrasja në Prishtinë, detaje të reja nga prokuroria

Një person i moshës afër 56-vjeçare ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën gjatë ditës së sotme në lagjen “Arbëri” në Prishtinë.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima ka vdekur nga të shtënat me armë zjarri ndërsa dy të plagosurit janë lënduar me një mjet të mprehtë.

Për këta dy të fundit, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë për KALLXO.com se prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyve të cilët aktualisht gjendën nën masat e sigurisë nga Policia, pasi të njëjtit janë ende në trajtim mjekësor.

Ulaj ka treguar se të njëjtit dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Paraprakisht zëdhënësja kishte treguar se viktima, vdekja e të cilit u konstatua nga ekipi mjekësor në vend të ngjarjes, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Urdhrin për këtë sipas Ulaj e kishte dhënë prokurorja kujdestare.

KALLXO.com gjatë ditës ka kontaktuar me prokuroren kujdestare në Prokurorinë e Prishtinës, Fitore Sadikaj, e cila konfirmoi se është në vendin e ngjarjes ndërsa nuk pranoi të jap detaje pasi sipas saj ende është herët të flitet për këtë rast.

Deri më tani ende nuk dihen detaje se çka dërgoi deri tek vrasja me armë zjarri dhe plagosja e dy personave të tjerë me thikë në një hotel i cili gjendet në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Zyrtarë e hetues policorë janë parë ditën në vendin e ngjarjes ndërsa ekipi i KALLXO.com e ka përcjellë nga afër ngjarjen.

Në anën tjetër, Naser Syla nga Emergjenca ka thënë për KALLXO.com se dy të plagosurit me thikë janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre është stabile.

Prokuroria urdhëron obduksion për trupin e viktimës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë