Fotografi nga vendi i ngjarjes pas vrasjes në një hotel në Prishtinë, Foto; KALLXO.com

Prokuroria urdhëron obduksion për trupin e viktimës në lagjen "Arbëria" në Prishtinë

Personit të vrarë, vdekja e të cilit u kostatua nga ekipi mjekësor në vend të ngjarjes, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Urdhrin për këtë e ka dhënë prokurorja kujdestare. Kështu ka njoftuar për KALLXO.xom, zëdhënësja Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ajo ka thënë se ne koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar rrethanat e rastit.

“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se Prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Renda ka dal në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se një person ka ndërruar jetë ndërsa dy persona të tjerë të lënduar janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML, për obduksion, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”- ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës ka kontaktuar me prokuroren kujdestare në Prokurorinë e Prishtinës, Fitore Sadikaj, e cila konfirmoi se është në vendin e ngjarjes ndërsa nuk pranoi të jap detaje pasi sipas saj ende është herët të flitet për këtë rast.

Deri më tani ende nuk dihen detaje se çka dërgoi deri tek vrasja me armë zjarri dhe plagosja e dy personave të tjerë me thikë në një hotel i cili gjendet në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Zyrtarë e hetues policorë tashmë janë në vendin e ngjarjes ndërsa ekipi i KALLXO.com që gjendet atje raporton se Forenzika ka marrë provat në vendngjarje dhe është larguar.

Gjithashtu aty është parë edhe ekipi i emergjencës dhe automjeti i Institutit të Mjekësisë Ligjore pasi që njëri nga personat që ka qenë në hotel ka mbetur i vrarë nga plagët e marra nga arma e zjarrit.

Naser Syla nga Emergjenca ka thënë për KALLXO.com se dy të plagosurit me thikë janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre është stabile.

Vrasja në Prishtinë, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurorja kujdestare