Foto: KALLXO.com

Vrasja mizore në Suharekë, i akuzuari: Të ndjerin e morën duarlidhur nga shtëpia ime

Fadil Fetiu, i akuzuar për ndihmë në vrasje, ka rrëfyer sot lidhur me vdekjen e Abedin Bytyqit, trupi i të cilit u gjet në një mal në fshatin Peqan të Suharekës.

I akuzuari theksoi se Murat Ademi kishte shërbyer si urë lidhëse për njohjen me Abedin Bytyqin. Dhjetë ditë para ditës kritike, Murat Ademi i kishte propozuar atij që ta thërriste Bytyqin për t’ ia rregulluar orëmatësin.

“Kisha nevojë që ta ndryshoja orëmatësin dhe Murati më propozoi që të angazhoj të ndjerin Abedin Bytyqi të cilin nuk e kam njohur kurrë”, tha ai.

Ditën kritike, me insistimin e Murat Ademit dhe në prezencë të tij, i akuzuari kishte caktuar takimin me Bytyqin. Ky ishte edhe takimi i fundit për të ndjerin Bytyqi i cili ishte nisur me qëllim që ta kryejë punën e elektricistit.

Hera e fundit që Bytyqi ishte parë gjallë ishte në shtëpinë e Fadil Fetiut në fshatin Peqan. Pas një debati të ashpër, ashtu siç e përshkroi i akuzuari Fetiu, Abedin Bytyqi u largua duarlidhur nga shtëpia ku kishte shkuar të punonte.

“Murati e akuzonte Abedinin me fjalët ”ti po sillesh keq” dhe gjatë bisedës janë përmendur dhe gjëra intime dhe probleme familjare. Aty u përmendke edhe Resmija dhe disa emra të tjerë, të cilët kanë qenë familjar të Muratit”, tha Fadil Fetiu.

I akuzuari pohoi se i kishte ndjekur nga pas me veturë por Ademi nuk ishte ndalur. Fetiu me këtë rast kishte pritur te lokali “Bunari”, ku pas 20 minutave kishte ardhur Murat Ademi.

“Ai më ka thënë që të mos ta tregoj të vërtetën për atë se çka ndodhi në shtëpinë time dhe nëse pyet dikush për Abedinin thuaji se e ka lënë tek ura e fshatit Reshtan”, tha nw dwshminw e tij Fetiu.

Fetiu pranoi se dy ditë pas ngjarjes kishte dhënë deklaratë të rrejshme në polici sepse në atë kohë ka menduar se Abedini është gjallë. Mirëpo, sipas tij, deklarata e tij e dytë është e vërtetë dhe qëndron prapa saj.

Sa i përket takimeve me Reshat Ademin, i akuzuari sqaroi se ishin takuar pesë herë pas ngjarjes dhe atë katër herë nën masat e fshehta të policisë.

Sipas tij, ishte njëri nga këto takime në të cilat e kuptoi se Abedini kishte vdekur.

“Reshati më ka thënë se Abedinin nuk e gjejnë kurrë sepse është i groposur thellë. Aty e kuptova se nuk është çështje e rrëmbimit por e vrasjes”, tha ai.

Rrëfimi se si kishte ndodhur vdekja e Abedin Bytyqit u shoqërua me tensione, sharje e fyerje në mes të akuzuarve për çka edhe u largua nga salla i akuzuari Murat Ademi, mirëpo pas pauzës atij iu mundësua ndjekja e gjykimit.

Aktakuza fillimisht Fadil Fetiun e ka ngarkuar për moslajmërim të veprës penale, mirëpo më 7 maj 2019, Prokuroria  e ka ndryshuar veprën duke e akuzuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarin Murat Ademi për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata e dënoi me 20 vite burgim, e i akuzuari Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Prizrenit nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

E akuzuara për shtytje të vrasjes së burrit: S’kam pasur njohuri rreth planifikimit të vrasjes