VIDEO - Rrahja në Kuvend, palët pajtohen që rasti të zgjidhet me ndërmjetësim

Rrahja në Kuvendin e Kosovës më 13.07.2023 mes disa zyrtarëve të qeverisë e deputetëve të PDK-së ka shkuar për zgjidhje në ndërmjetësim.

Ndërmjetësimi është procedurë alternativë për zgjidhjen e kontesteve gjyqësore në raste penale, gjë të cilën e kanë zgjedhur edhe sot më 28.05.2024, Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu të akuzuar për përleshjen në Kuvendin e Kosovës më 13.07.2023

Bislimi, Lushtaku, Beqa dhe Haxhiu janë deklaruar të pajtimit që këtë rast ta zgjidhin në procedurën alternative.

Lidhur me këtë njoftim të Gjyqtarit, Eroll Gashi, për ta zgjidhur rastin me ndërmjetësim, ishte i pajtimit edhe pala e dëmtuar, Hekuran Murati.

Ndërmjetësimi mund të aplikohet për veprat penale të cilat janë të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vite.

Për t’u aplikuar kjo procedurë, duhet që pëlqimin ta japin të gjithë palët, përfshirë në këtë rast edhe Prokuroren, Nebahate Salihu, nëse për rastin në fjalë ka të ngritur aktakuzë.

Afati për të arritur marrëveshje në procedurë të ndërmjetësimit është deri në 90 ditë, përveç nëse vazhdohet me ligjin për ndërmjetësim.

Në momentin kur një lëndë procedohet me ndërmjetësim, lëndën për trajtim e merr zyra për ndërmjetësim e cila ka rolin e pavarur. Rastin në ndërmjetësim mund të referohet nga prokurori dhe gjyqtari.

Prokurori mund ta dërgojë lëndën në ndërmjetësim nëse nuk ka të ngritur aktakuzë ndaj një ose disa personave, kurse pas ngritjes së aktakuzës, ndërmjetësimi udhëzohet nga Gjyqtari i vetëm Gjykues.

Nëse palët arrijnë marrëveshje në procedurën e ndërmjetësimit, ajo marrëveshje i dërgohet Gjykatës dhe gjyqtari do të marrë aktvendim për hedhjen e aktakuzës.

Por në rast se brenda afatit të paraparë ligjor nuk arrihet marrëveshja mes palëve ose njëra nga palët tërhiqet nga procedura e ndërmjetësimit, rasti fillon të procedohet përsëri në Gjykatë për tu gjykuar.

Çka përmban aktakuza e Prokurorisë për përleshjen në Kuvendin e Kosovës?

Sipas dosjes së Prokurorisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi akuzohet për përdorimin e forcës fizike ndaj deputetit Mërgim Lushtaku gjatë seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës.

Incidenti ndodhi pasi Bislimi e kishte hequr një fotografi të kryeministrit Albin Kurti në formën e Pinokios, e cila ishte vendosur paraprakisht nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas dosjes së Prokurorisë, në këtë moment, deputeti Mërgim Lushtaku, në shenjë revolte, u ngrit nga vendi i tij dhe u drejtua drejt foltores ku ndodhej kryeministri dhe me një shishe të vogël me ujë që mbante në duar, hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti.

Më pas, Bislimi, në shenjë revolte me gjendjen e krijuar, e ka përdorur shishen e tij të ujit, duke e gjuajtur dhe goditur në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku.

Pasi kjo ndodhi, ai gjithashtu e ka goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku.

Veprime të cilat, sipas dosjes së prokurorisë, janë regjistruar dhe shihen në kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Më këto veprime, sipas Prokurorisë i pandehuri Bislimi ka kryer veprën penale – sulmi, të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, deputeti Mërgim Lushtaku sipas dosjes së prokurorisë, ka përdorur po ashtu forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi, ashtu që pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, të përshkruar si më lartë, tani i pandehuri Mërgim Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Bislimin, duke e goditur të njëjtin me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat janë regjistruar dhe shihen në kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit. Sipas Prokurorisë me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale – sulmi.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes njoftimit për media, më 30.10.2023 kishte bërë të ditur se pas zhvillimit dhe zgjerimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu.

Kjo aktakuzë ka të bëjë me veprimet apo ngjarjen e datës 13.07.2023, gjatë mbajtjes së një seance plenare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e që ndodhi një përleshje fizike mes deputetëve.

Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Në lidhje me të pandehurin Bekim Haxhiu, sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer edhe veprën penale – lëndimi i lehtë trupor duke u bazuar në dispozitat e KPRK-së.

Prokuroria Themelore i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen në përputhje me ligjin për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

KALLXO.com pati raportuar se gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kohës sa ministri i Financave, Hekuran Murati është ngritur nga karrigia e tij, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të tij dhe më pas ka ndodhë një përleshje fizike.