(VIDEO) Babë e bir hasen duke kultivuar kanabis, sekuestrohen 316 vazo

Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona – babë e bir, si të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike, kanabis, si dhe për vjedhje të energjisë elektrike në Krujë.

Policia ka njoftuar se janë sekuestruar 316 vazo në të cilat ishin të kultivuar fidanë të dyshuar kanabis sativa, pajisje elektrike dhe aksesorë të tjerë që shërbenin për kultivimin e kanabisit me ngrohje, me anë të llambave.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe 1.822.000 lekë dhe 37.000 euro.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se dy shtetas kishin përshtatur një ambient në fshatin Derven, për kultivim të kanabisit me anë të llambave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Derveni”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Të arrestuarit janë  Ll. L., 57 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Derven.