Vetëm në muajin shkurt rreth 1,900 lindje dhe mbi një mijë vdekje

Të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet dhe të tjera, nga buletini mujor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), bëjnë të ditur se në Kosovë dhe jashtë saj, numri i lindjeve është rreth 1,900 ndërsa mbi një mijë është numri i vdekjeve.

“Në muajin shkurt janë regjistruar 1 890  lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara në muajin shkurt, 991 lindje janë meshkuj dhe 899  lindje janë femra”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, për dallim nga lindjet, janë regjistruar gjithsej 1,089 vdekje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej vdekjeve të regjistruara, 606  janë meshkuj dhe 483 janë femra.

Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër.

Më tej thuhet se ASK do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1,Vdekjet DEM-2, Kurorëzimet DEM-3 dhe Shkurorëzimet SHK-1, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.

Burimi i të dhënave të këtij Buletini është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).