Vera e sivjetme e Spanjës, më e nxehta e regjistruar ndonjëherë
Vera e sivjetme e Spanjës ishte më e nxehta prej se kanë nisur të mbahen të dhëna më 1961. Vendi përjetoi më shumë se një muaj valë të nxehti të shkaktuara prej ndryshimit klimatik që iu fryu flakëve të zjarreve më të egra në tri dekadat e fundit, raporton Reuters.
Kjo verë ishte për 2.1 shkallë celsius më e ngrohtë se mesatarja e viteve 1991-2020 dhe ia ka dalë ta kalojë verën e vitit 2022 për 0.1 shkallë Celsius, ka bërë të ditur agjencia shtetërore meteorologjike, AEMET.
Nëntë prej dhjetë verave më të nxehta të Spanjës janë regjistruar në shekullin 21, me më shumë valë të të nxehtit që priten në vitet e ardhshme, ka bërë të ditur zëdhënësi i AEMET-in, Ruben del Campo, në një intervistë për Reutersin.
“Këto vera të vitit 2022 dhe 2025 janë tregues për atë që mund të ndodhë në mesin e shekullit”, ka theksuar Del Campo. “Çdo të tretën ditë këtë verë kemi qenë nën një valë të nxehti”.
Del Campo ka thënë se Spanja do të duhet të përshtatet me vera më të nxehta, ndërsa vazhdon t’u kontribuojë përpjekjeve globale për të frenuar ndryshimet klimatike duke ulur emetimet e gazrave serrë.
Spanja ka përjetuar tre valë të nxehti që zgjatën 36 ditë gjatë verës. Një valë 16-ditore e të nxehtit në gusht solli temperatura që tejkalonin 45 shkallë Celsius në jug të vendit dhe ishte më intensivja e regjistruar ndonjëherë, njofton AEMET.
Vendet në mbarë botën viteve të fundit po përjetojnë nxehtësi rekorde, ndërsa ngrohja globale po përshpejtohet. Vera e vitit 2024 ishte më e ngrohta në hemisferën veriore, ndërsa vera e vitit 2025 ishte më e nxehta në Britani që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1884.
Nxehtësia intensive ndihmoi nxitjen e zjarreve që dogjën një sipërfaqe rekord prej 1.03 milion hektarësh në të gjithë Bashkimin Europian, sipas të dhënave nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje i BE-së, të analizuara nga Reuters.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com