Vdes një 19-vjeçar në Ferizaj, dyshohet se ra nga kati i 9-të i ndërtesës

Një 19-vjeçar ka vdekur sot në Ferizaj, ai dyshohet se ka rënë nga kati i 9 i një ndërtese në rrugën “Sali Çeku”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Sot, rreth orës 00:35 të mëngjesit, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se një person,  shtetas i huaj me inicialet B.G i moshës 19 vjeçar në rrugën ‘Sali Çeku’ në Ferizaj, ka rënë nga kati i 9 i një ndërtese”, ka thënë Veseli.

Tutje ai ka treguar se viktima është dërguar për ndihmë mjekësore në Emergjencën e Ferizajt e më pas për tretman të mëtututjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku edhe ka vdekur.

Veseli ka treguar se policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe në rast janë kyçur hetuesit dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve.

“Janë kontaktuar edhe familjarët e viktimës, ku sipas tyre dyshohet sa ai është hedhur nga kati i IX-të i ndërtesës”, tha Veseli.

Ai tutje shtoi se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili thuhet se i ka autorizuar hetuesit rajonal që t’i marrin të gjitha veprimet hetimore.

Veseli ka treguar se trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Madje ai ka thënë se po ashtu është njoftuar edhe ILEC-u për vdekjen e shtetasit të huaj.

Veseli njoftoi se rasti është cilësuar si “Vetvrasje”