Foto: Ilustrim

Vdes në QKUK i riu që ishte goditur nga vetura në Istog

Një i ri nga komuna e Istogut ka ndërruar jetë sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës disa ditë pasi ishte goditur nga një veturë në fshatin Dubravë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Me datën 23.07.2021, Policia u pat informuar për një aksident i cili ka ndodhur në fshatin Dubravë të Istogut mes një veture dhe një këmbësori. Viktima fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës pastaj si pasojë e plagëve të marra është përcjellë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës teksa sot jemi informuar se viktima ka ndërruar jetë”, tha Rugova.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekë Berisha, është shprehur i tronditur nga vdekja e hershme e të riut, për të cilin ka thënë se e ka nip.

“I tronditur nga vdekja e hershme e nipit tim Dolindit, ngushëllime familjes dhe të gjithë atyre qe e njohën”, ka shkruar Berisha në Facebook.