Liqeni i Radoniqit

Vdes i riu në liqenin e Radoniqit

Një i ri ka humbur jetën gjatë ditës së djeshme në liqenin e Radoniqit.

Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj.

“Lajm tronditës. Tragjikisht ka humbur jetën sot në liqenin e Radoniqit i riu nga fshati Rastovicë, Azgon Selmanaj. Bashkëndjejmë dhembjen me familjen Selmanaj nga Rastovica e Deçanit. Shpirti i tij u prehtë në paqe”, ka shkruar Selmanaj.

Lajmin për vdekjen e të riut në liqenin e Radoniqit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Disa shokë dhe familjarë e kanë dërguar në QKMF në Deçan, mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka thënë Gashi.

Ai tutje ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policor, dhe në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori.

“Me vendim të prokurorit, trupi i është liruar familjarëve për ceremoni të varrimit, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet nga ana e policisë”, ka thënë Gashi.